LETËR E HAPUR PËR DISA SQARIME DHE NDRYSHIME TË LIGJIT “PËR KONTABILITETIN DHE PASQYRAT FINANCIARE”
Tiranë, 6 Maj 2019
Drejtuar:
Z. Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit
Znj. Anila Denaj, Ministër, Ministria e Financave dhe Ekonomisë
Znj. Vasilika Hysi, Zëvendëskryetare e Kuvendit dhe Kryetare e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut
Z. Ulsi Manja, Kryetar, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
Z. Arben Ahmetaj, Kryetar, Komisioni për Ekonominë dhe Financat
Për dijeni:
Znj. Ogerta Manastirliu, Ministër, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; Kryetare e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile
Z. Mario Mariani, Shef i Bashkëpunimit, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri
E ngarkuara me Punë në detyrë, Znj. Leyla Moses-Ones, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri
Shkëlqesia e Tij Z. Adrian Maître, Ambasador i Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri
Shkëlqesia e Tij Z. Duncan Norman, Ambasador i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri
Shkëlqesia e Tij Z. Johan Ndisi, Ambasador i Ambasadës Suedeze në Shqipëri
Shkëlqesia e Saj Znj. Guusje Korthals Altes, Ambasadore e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Shqipëri
Z. Enton Duro, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve
Znj. Elira Hoxha, Drejtor Ekzekutiv, Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit
Z. Andi Kananaj, Drejtor Ekzekutiv, Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile
Znj. Eriola Muka, Drejtor i Drejtorisë së Politikave dhe Prioriteteve për Zhvillim pranë Kryeministrisë
Z. Blendi Dibra, Nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile
Subjekti: Për disa sqarime dhe ndryshime të Ligjit “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”
Ne, një grup organizatash të shoqërisë civile, jemi bërë me dije mbi Ligjin Nr. 25/2018 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”, përmes një ftese të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit (KKK), si organi i përcaktuar për hartimin e formatit të raportit të performancës që OJF-të kanë detyrimin ta dorëzojnë atë sipas Ligjit në fuqi.
Ligji është botuar në Fletoren Zyrtare nr.9228 në 17 Maj 2018 dhe ka hyrë në fuqi që prej 1 Janarit 2019. Ky ligj është hartuar dhe miratuar pa dijeninë e pjesëmarrjen e sektorit dhe vjen në vëmendjen e organizatave të shoqërisë civile, vetëm në këtë moment kur ka filluar procesi i hartimit të formateve të raportimit nga KKK-ja.
Sektori i shoqërisë civile në vetvete ka shumë çështje që duhet të adresojë e punojë së brendshmi dhe që po i diskuton në forume mes sektorit e më gjerë, me qëllim rritjen e standardit të funksionimit të OJF-ve, atë të cilësisë së veprimtarisë si dhe rritjen e transparencës së OJF-ve. Trajtimi i duhur e i qartë mbi raportimin financiar të OJF-ve është thelbësor për zhvillimin e tyre si dhe një nga prioritetet e rëndësishme parashikuar edhe në Udhërrëfyesin për Hartimin e Politikave dhe Masave për një Mjedis Mundësues për Shoqërinë Civile 2018-2022, një dokument bazë strategjik ky për zhvillimin e sektorit.
Ligji Nr. 25/2018 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare” sjell disa ndryshime dhe shtesa të reja për raportimin e subjekteve, mes të cilave dhe ato jo-fitimprurëse, të cilat përbëjnë shqetësim dhe hapa prapa lidhur me raportimin e organizatave të shoqërisë civile.
Më specifikisht, çështjet shqetësuese renditen si më poshtë vijon:
- Nëpërmjet nenit 13, pika 5, ligji duket sikur shfuqizon lehtësimin që paraqet SKK për OJF-të, shpallur me URDHËR të Ministrit të Financave Nr. 62 datë 17.09.2015, lidhur me paraqitjen e pasqyrave financiare për organizatat që kanë shifrën e aktivit ose shifrën e të ardhurave më të vogël se 5 milion lekë, duke unifikuar llojin e pasqyrave financiare për të gjitha OJF-të. Në fakt, raportimi sipas pasqyrave të përcaktuara në këtë ligj, përkundrejt formatit “të ardhura – shpenzime” të përcaktuara në SKK, do ta bënte raportimin financiar jo relevant dhe do të përbënte një barrë për kapacitetet institucionale të shumë organizatave të vogla dhe që funksionojnë mbi baza vullnetare.
Ky ndryshim përbën një hap mbrapa në krijimin e një mjedisi mundësues për OJF-të në vend, duke mos marrë në konsideratë natyrën e punës (jo-fitimprurëse) dhe madhësinë e OJFve. Ky ndryshim vjen në kundërshtim edhe me praktikat më të mira në këtë drejtim.
- Neni 17, pika c, parashikon detyrimin e OJF-ve shifra e aktivit ose e të ardhurave në pasqyrat financiare të të cilave tejkalon vlerën 30 milionë lekë, që të përgatisin raportin e ecurisë së veprimtarisë (raportit të performancës), raport ky i cili së bashku me pasqyrat financiare duhet të publikohet në faqen zyrtare të internetit të organizatës.
Sipas përshkrimit në pikat 1 dhe 2 të nenit 17 në ligj, mbi përmbajtjen e këtij raporti, por edhe diskutimin paraprak mbi formatin e këtij raporti, duket se ai nuk përputhet me natyrën dhe veprimtarinë jofitimprurëse të OJF-ve.
POR, shqetësimi kryesor me këtë kërkesë ka të bëj me motivimin dhe nevojën e ligjvënësit për të vlerësuar performacën e këtyre organizatave, të cilat për hatër edhe të përcaktimit ligjor janë organizatat më të mëdha në vend që në fokus të punës së tyre kanë kryesisht mbrojtjen e të drejtave të njeriut; monitorimin, vlerësimin dhe denoncimin e rasteve korruptive në të gjitha nivelet e shtetit; monitorimin e zgjedhjeve dhe avancimin e kuadrit ligjor në këtë drejtim, etj.
Vlerësimi i performancës në një kohë kur këto organizata janë të palidhura kontraktualisht dhe financiarisht me shtetin, thënë ndryshe kur nuk përdorin fonde shtetërore apo marrin lehtësira tatimore dhe financiare nga ai, e bëjnë atë të pajustifikuar. Madje, kjo vlerësohet si cënim i lirisë dhe pavarësisë së funksionimit të sektorit jo-fitimprurës.
Kërkesa për prodhimin dhe publikimin e raportit të performancës së punës së organizatave bëhet edhe më e cuditshme, kur nuk përcaktohet se kush është institucioni përkatës që do të gjykojë mbi këtë performancë; kush është ky standart shqiptar apo ndërkombëtar që do të vlerësonte performancën dhe më pas gjykimin për plotësimin e tij; cilat janë penalitetet për organizatat që nuk plotësojnë standartin e performancës.
Janë të gjitha këto pyetje që e bëjnë këtë kërkesë të ligjit të paraqesë rrezik të lartë potencial për ndërhyrje nga ana e shtetit në veprimtarinë e pavaruar të sektorit jo-fitimprurës.
Në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues, OJF-të përgatisin dhe dorëzojnë pasqyrat financiare pranë organeve tatimore dhe janë subjekt i monitorimit të vazhdueshëm nga ana e tyre. Po ashtu, ato hartojnë raporte veprimtarie dhe raportojnë drejtpërdrejtë pranë donatorëve dhe institucioneve publike nga të cilat marrin financime, konform rregullave dhe procedurave respektive. Praktika perëndimore, përfshi edhe disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshin kërkesën për prodhimin e raportit vjetor të veprimtarisë dhe sigurimin e mundësisë për akses publik (në çdo lloj forme, por jo përcaktuese në faqen zyrtare të web-it). Por, kjo ka të bëjë vetëm me ato organizata që kanë statusin “Për Përfitim Publik” (organizata që marrin lehtësira apo përjashtime tatimore) dhe ato që përfitojnë fonde publike.
- Neni 22, pika 1 e ligjit parashikon detyrimin e njësive ekonomike, që “….të depozitojnë për publikim pranë autoritetit përkatës ku janë regjistruar pasqyrat financiare vjetore,…”. Në rastin e organizatave jofitimprurëse, “autoriteti përkatës” është Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Ky detyrim është një barrë e shtuar për organizatat e shoqërisë civile, sidomos ato nga rrethet të cilat do të kenë kosto të shtuara për të sjellë raportet e tyre financiare dhe dokumente të tjera që parashikon ligji, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Nga ana tjetër, kjo kërkesë nuk sjellë asnjë vlerë të shtuar përsa i përket transparencën së sektorit, aksesit publik apo lehtësimit të kontrollit dhe monitorimit nga ana e institucioneve kompetente. Gjykata nuk e ka për tagër institucional të manaxhojë apo përdorë këtë lloj informacioni. Ndërkohë, që pasqyrat financiare dorëzohen nga çdo organizatë jo-fitimprurëse si çdo njësi tjetër ekonomike, pranë Drejtorive Rajonale të Tatim Taksave, kjo kërkesë e re e ligjit është e pajustifikuar. Çdo nevojë për informacion si për nevoja institucionale ashtu edhe publike mund të realizohet nga këto Drejtori. Për më tepër, Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka dështuar në këto afro 20 vite të prodhojë një rregjistër elektronik të aksesueshëm për sektorin jo-fitimprurës në vend.
- Neni 22, pika 3, parashikon detyrimin për OJF-të që të publikojnë në faqen e tyre të internetit pasqyrat financiare vjetore, nëse shifra e aktivit ose e të ardhurave në pasqyrat e tyre financiare tejkalon vlerën 30 milionë lekë. Gjithashtu ato duhet të publikojnë edhe raportin e performancës.
Me këtë ligji detyron OJF-të të kenë faqe zyrtare interneti, ndërkohë që ky nuk është një detyrim ligjor i parashikuar nga kuadri ligjor për regjistrimin dhe funksionimin e OJF-ve, ashtu siç nuk është detyrim ligjor për pjesën dërrmuese të njësive ekonomike fitimprurëse.
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore në vend dhe atyre donatore që mbështesin sektorin jo-fitimprurës, ne mbetemi të angazhuar për të forcuar gjithnjë e më shumë komunikimin dhe transparencën tonë publike, si një mjet i rëndësishëm në forcimin e besimit publik. Ne gjykojmë se vetë rregullimi vullnetar në formën e Kodit të Standarteve, është një nga format për ta fuqizuar këtë transparencë ndaj publikut. Por, çdo rregullim ligjor që tenton “t’i vërë notën” cilësisë së punës së sektorit jo-fitimprurës nga institucionet shtetërore, do të përbënte ndërhyrje në veprimtarinë e saj.
Duke konsideruar sa më lart, në emër të grupimit të organizatave firmëtare, kërkojmë:
– organizimin e një takimi për diskutimin e këtyre çështjeve me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si dhe përfaqësues të Komisioneve Parlamentare;
– rishikimin e Ligjit “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare” me qëllim funksionimin sa më mirë të tij.
Duke Ju falenderuar paraprakisht për marrjen në konsideratë të kërkesës sonë,
Me respekt,
(sipas rendit alfabetik)
ARSIS, Organizatë Shoqërore për Përkrahjen e të Rinjve
Civil Rights Defenders – Albania
Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit
Dorcas Aid International Albania
Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqiperinë
Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FSHDPAK)
Fondacioni Shqiptar i Zhvillimit të Kapaciteteve Lokale (ALCDF)
Instituti i Kërkimeve Urbane (URI)
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)
Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA)
Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS)
Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Në Dobi të Gruas Shqiptare
Nisma për Ndryshim Shoqëror, ARSIS
Observatori për të drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve
Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim
Qendra Burimore e Mjedisit, Shqiperi (REC Albania)
Qendra për të Drejtat në Punë
Qendra Psiko-Sociale “Vatra”
Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD)
Qendra VEPRO PER SHOQERINE
Roma Active Albania
Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative Shqipëri – BIRN Albania
Save the Children – Albania
Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS)
Shoqata “Përtej Barrierave”
Shoqata Ryder Albania
Shoqata Ndihmoni Jetën
Terre Des Hommes
Tjetër Vizion
Vizion OJF
World Vision Albania
Shënim: Pika e kontaktit për këtë çështje është Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në adresën e email partners@partnersalbania.org, ose numër tel: 04 2 254881.