Njihuni me fituesit e Konkursit të Bizneseve të Gjelbërta 2024

Partnerët Shqipëri organizoi në 12-13 qershor “Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2024”.

Ky Konkurs që Partnerët Shqipëri organizon prej vitit 2012, synon të stimulojë e inkurajojë inovacionin për ide biznesi të gjelbërta në nivel lokal dhe të hulumtojë rolin e filantropisë në angazhimin e komuniteteve lokale për të gjeneruar ide biznesi të bazuara në shfrytëzimin e burimeve lokale, ringjalljen e traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale, duke pasur një qasje m iqësore ndaj mjedisit. Përmes mbështetjes së nismave inovatore që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal, Konkursi synon të kontribuojë në mënyrë thelbësore në ndërtimin e një rajoni të begatë, konkurrues dhe të paqtë të Ballkanit, në linjë me 7 objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm të Axhendës 2030. Këtë vit, Konkursi u mundësua falë kontributit të Fondit Rockefeller Brothers, Tirana Bank, Credins Bank, dhe Kastrati Group.

Ndër 20 konkurrentë të përzgjedhur mes aplikantëve në konkurs, juria e pavarur e përbërë nga ekspertë të fushës së ekonomisë dhe zhvillimit të biznesit, përzgjodhi fituese idetë e mëposhtme:

Fasha 1: Ide biznesi në fazë konceptuale

Rexhina Gjolla me “FERMA E KËRPUDHAVE”
Duke parë kërkesën në rritje për prodhime të freskëta organike vendase, ideja qëndron në krijimin e një ferme me kërpudha për të ofruar një produkt ushqyes, të sigurt dhe të rritur në vend duke përdorur praktika miqësore me mjedisin.

Kozma Prendi me “ALBANIAN CANYONING ADVENTURES”
Kjo ide konsiston në organizimin e tureve të kanionigut në Kanionet e Lumit Osum në Skrapar, si një eksperiencë unike për eksplorimin e këtyre atraksioneve natyrore, përmes një qasje që kombinon turizmin e aventurës me programet edukative të dizajnuara për të zhvilluar  turizmin aventuror në sportin e kanioningut.

Ledian Shera me ECO AD PACK
Ideja konsiston në ngritjen e një platforme inovative të marketingut që synon të mbështesë furrat e bukës, të vogla dhe të mesme, duke i ofruar atyre qese ekologjike falas si një mjet efektiv për të përforcuar prezencën e tyre në treg dhe për të zgjeruar ndikimin e tyre ekologjik, si dhe lejon bizneset më të mëdha të reklamojnë produktet ose shërbimet e tyre në këto qese, duke krijuar një mjet të ndërsjelltë të dobishëm.


Fasha 2: Biznes në fazat e para të zhvillimit

Ermal Cukani me AGALMA SUSTAINABLE SOUVENIRS
Ideja konsiston në prodhimin e suvenirëve që promovojnë vendin tonë (bookmarks, luggage tags, coasters, paperweights) krahas suvenirëve klasikë, duke patur si emërues të përbashkët materialet natyrale dhe riciklueshmërinë. Suveniret pasqyrojnë personazhe shqiptarë që kanë patur ndikim botëror si dhe monumente të rëndësishëm të vendit, me një qasje inovatore në paraqitjen e mesazheve.

Lytfi Alliu  SHEBENIK EGNATIA EXPLORERS
Ideja konsiston në zhvillimin dhe zgjerimin e kampeve lëvizëse në Parkun Kombëtar Shebenik, si dhe në segmente të rrugës Egnatia. Mbështetja përmes konkursit do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve të ofruara (lojëra, aktivitete të ndryshme, vëzhgime yjesh me teleskop, ushqime tradicionale) dhe rritjen e kapaciteteve dhe pajisjeve.

Sentiljana Marku me MJEDRAT E DANJËS
Ideja qëndron në zhvillimin e mëtejshëm të fermës “Mjedrat e Danjës” për prodhimin e Mjedrës, ose siç quhet ndryshe “Arit të kuq”. Mbështetja nga Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta do të mundësojë diversifikimin e produktit, shtimin e plantacionit dhe kthimin në pikë grumbullimi për qarqet e veriut.