Njoftim mbi dorëzimin e deklaratës së Tatim mbi Fitimit dhe Pasqyrave Financiare për vitin 2019 si dhe pagesen e Tatimit mbi Fitimin për vitet 2019 dhe 2020
Njoftim mbi dorëzimin e deklaratës së Tatim mbi Fitimin dhe Pasqyrave Financiare për vitin 2019 si dhe pagesën e Tatimit mbi Fitimin për vitet 2019 dhe 2020 Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sjell në vëmendje të tatimpaguesve detyrimin për dorëzimin e deklaratës së pagesës së Tatimit mbi Fitimin dhe pasqyrave financiare për vitin fiskal 2019, në zbatim të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, Udhëzimit të Ministrit të Financave Nr.5, datë 30.01.2006, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, VKM-së Nr. 922 datë 29.12.2014 “Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike”, si dhe kërkesave të Ligjit Nr. 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”.
- Afati i dorëzimit, në llogarinë e deklarimit elektronik e-filing të deklaratës vjetore të Tatimit mbi Fitimin për vitin fiskal 2019, është data 31 mars 2020.
- Për tatimpaguesit me qarkullim vjetor mbi 14 milion lekë, afati i pagesës së Tatimit të llogaritur pakësuar me shumat e përcaktuara sipas nenit 37 të Ligjit nr. 8438, dhe me parapagimet e bëra gjatë periudhës tatimore ështe data 31 Mars 2020.
Ndërkohë, në zbatim të Aktit Normativ nr.10 datë 26.03.2020 “Për një ndryshim në ligjin nr.8438 datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar”, ju informojmë në lidhje me afatet e: dorëzimit të pasqyrave financiare për të gjithë tatimpaguesit, pagesës së Tatimit mbi Fitimin vjetor 2019 si dhe të kësteve paraprake të vitit 2020, për tatimpaguesit me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë:
- Për të gjithë tatimpaguesit, bilanci kontabël, së bashku me anekset e tij, si dhe çdo e dhënë tjetër e përcaktuar në udhëzimin e Ministrit të Financave nr.5 datë 30.01.2006, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, në zbatim të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, dorëzohet brenda datës 31 Korrik 2020.
- Për tatimpaguesit me qarkullim deri në 14 milion lekë, tatimi i llogaritur në bazë të deklaratës vjetore të të ardhurave të tatueshme, pakësuar me shumat e përcaktuara sipas nenit 37 të Ligjit nr. 8438, dhe me parapagimet e bëra gjatë periudhës tatimore, paguhet nga tatimpaguesi me urdherpagesen perkatese, brenda gjashtë mujorit të dytë 2020.
- Për tatimpaguesit me qarkullim deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, këstet e tatimfitimit të tremujorit të parë dhe të dytë të vitit 2020, parapaguhen në llogarinë e organeve tatimore, brenda datës 31 dhjetor 2020. Këstet paraprake të tatimit mbi fitimin, të tremujorit të tretë dhe të katërt të vitit 2020, parapaguhen në llogarinë e organeve tatimore, brenda datës 31 dhjetor 2020.
Për çdo informacion apo asistencë të nevojshme, ju mund të kontaktoni qendrat e Sherbimit për Tatimpaguesit në çdo Drejtori Rajonale, duke përdorur kontaktet e publikuar në https://www.tatime.gov.al/c/9/157/drejtorite-rajonale, (me telefon gjatë orarit të punës 08.00-13.00, e hënë – e premte si dhe me email), shërbimin LiveChat në faqen e internetit të Administratës Tatimore tatime.gov.al si dhe të telefononi në numrin pa pagesë të Qendrës së Thirrjeve 0800 00 02 gjatë orarit 08.00-13.00, e hënë – e premte.