Njoftim mbi procedurën e lëshimit dhe pranimit të Faturave Elektronike
Që nga data 1 Janar 2021 ka nisur zbatimi i Ligjit Nr. 87/2019 “Për Faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”. Sipas nenit 48 “Procesi i Fiskalizimit”, faturat që do të lëshohen për Organet Publike Shtetërore duhet të jenë Fatura Elektronike dhe shkëmbehen nëpërmjet Platformës Qendrore të Faturave.
Ndërkohë, duke filluar nga data 1 Korrik 2021, të gjitha faturat që do të lëshohen dhe pranohen ndërmjet tatimpaguesve (përfshirë OJF-të), do të duhet të jenë Fatura Elektronike dhe të shkëmbehen VETËM nëpërmjet Platformës Qendrore të Faturave.
Lidhur me sa më lart, sjellim në vëmendje të të gjitha organizatave të shoqërisë civile nevojën për të marrë masat e duhura për përmbushjen e detyrimit ligjor, referuar Ligjit Nr. 87/2019 “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”.
Për të lëshuar dhe pranuar Faturë Elektronike kërkohet që tatimpaguesit të përmbushin kërkesat si më poshtë:
- Akses në Internet në vendin e lëshimit të faturave elektronike;
- Pajisja me Certifikatë Elektronike nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13691
- Aksesimi i Platformës Qendrore të Faturave duke përdorur kredencialet tuaja të aksesit nëpërmjet E-Albania, në adresën: https://efiskalizimi-app.tatime.gov.al/self-care
Plotësimi i të dhënave për procesin e fiskalizimit kërkon nga tatimpaguesi:
-
- Përcaktimin e ofruesit të internetit për vendet e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit;
- Përcaktimin e pronësisë së ambientit dhe sipërfaqes për vendet e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit;
- Përcaktimin e rregullit të numrit rendor të faturave;
- Përcaktimin e aktiviteteve të biznesit referuar kodeve NACE Rev. 2;
- Përcaktimin e orëve të punës për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit;
- Përcaktimin e koordinatave në hartë për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit;
- Shtimin e kontakteve për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit;
- Shtimin e operatorit/ëve që do të lëshojë faturë elektronike;
- Ngarkimin e Certifikatës Elektronike me qëllim fillimin e procesit të lëshimit të faturave elektronike.
Për të asistuar organizatat në procesin e regjistrimit dhe përdorimit të Platformës Qendrore të Faturave, Partnerët Shqipëri dhe Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri do të organizojë në vijim një seri sesionesh informimi dhe trajnimesh.
Na ndiqni për t’u bërë pjesë e tyre!