Iniciativa e PSH për parandalimin e kufizimeve për organizatat e shoqërisë civile në emër të parandalimit të pastrimit të parave dhe luftës kundër financimit të terrorizmit në Shqipëri

Partnerët Shqipëri po zbaton një iniciativë e cila synon të fuqizojë Organizatat Jo-Fitimprurëse (OJF) që të angazhohen në mënyrë proaktive për një mjedis ligjor mundësues në konteksin e parandalimit të pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit. Kjo është iniciativa e parë drejt një ndërhyrjeje afatgjatë që Partnerët Shqipëri ka planifikuar në këtë drejtim.

Ndërhyrja fokusohet në hartëzimin dhe analizën e kuadrit ligjor dhe rregullator në vend mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës kundër financimit të terrorizmit, një fushatë informuese, edukuese dhe ndërgjegjësuese për sektorin rreth kësaj cështjeje, organizimin e tryezave të diskutimit në vend dhe rajon me aktorë të ndryshëm interesi, si dhe advokim për një mjedis ligjor mundësues për veprimtarinë e OJF-ve në vend.

Në mars 2021 Partnerët Shqipëri zhvilloi një seri tryezash diskutimi lokale me organizata dhe aktorë të tjerë të interesuar, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit të Parave, me qëllim informimin, prezantimin dhe diskutimin e gjetjeve kryesore të raportit që po përgatitet nga Partnerët Shqipëri mbi kuadrin ligjor dhe rregullator që rregullon veprimtarinë e OJF-ve në kuadër të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe pajtueshmërinë e masave të ndërmarra nga shteti shqiptar me Rekomandimin 8 dhe Notën Shpjeguese të Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar (FATF) për organizatat jo-fitimprurëse.

Gjithashtu, në 18 mars PSH organizoi një workshop rajonal ku organizata të shoqërisë civile nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi ndanë eksperiencat rreth angazhimit të tyre në proceset që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit në vendet respektive, si dhe u dakortësua mbi nevojën e një përpjekje të koordinuar advokuese me institucionet ndërkombëtare përgjegjëse për këto çështje.

Në vijim, në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit midis Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe GIZ “Për bashkëpunimin ndërinstitucional me qëllim realizimin e metodologjisë së vlerësimit të riskut të sektorit të OJF-ve ndaj financimit të terrorizmit”, ka nisur puna për hartimin e metodologjisë së vlerësimit të riskut të Financimit të Terrorizmit (FT) në sektorin e OJF-ve, në përputhje me kërkesat e Rekomandimit 8 dhe IO.10 (Immediate Outcome 10) të FATF, bazuar në modelet ndërkombëtare.

Qëllimi i kësaj metodologjie është të ndihmojë vendet të kuptojnë rreziqet e TF për sektorin e OJF-ve, të vlerësojnë se sa efektivisht po i zbusin këto rreziqe, dhe të jenë në gjendje të demonstrojnë qartë se si e kanë arritur këtë mirëkuptim. Ky do të jetë një proces gjithëpërfshirës, gjatë të cilit do të mblidhen dhe analizohen informacione dhe të dhëna nga burime të ndryshme, të cilat më pas do shërbejnë për hartimin e raportit të metodologjisë së vlerësimit të riskut të OJFve ndaj FT.

Me këtë synim, gjatë muajve korrik-gusht 2021, Partnerët Shqipëri realizoi një anketim me 153 OJF për të mbledhur perceptimet dhe eksperiencat e tyre rreth çështjeve të ndryshme që lidhen me FT, politikat kundër FT dhe si ndikojnë ato në sektorin e OJF-ve. Më tej, puna po vazhdon me një anketim me institucionet financiare (banka dhe jo-banka) për të marrë perceptimin e tyre mbi riskun e FT në sektorin e OJF-ve, si dhe me mbledhjen e të dhenave dhe anketim me institucionet shtetërore.

Si pjesë e rëndësishme e procesit, u ngrit edhe Grupi Mbikqyrës i metodologjisë me përfaqësues nga institucionet shtetërore dhe sektori i OJF-ve, si: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Prokuroria e Përgjithshme, Komiteti Shtetëror për Kultet, Policia e Shtetit, Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Qendra e Gruas Hapa të Lehtë, Qendra SCiDEV, Nisma për Ndryshim Shoqëror Arsis dhe Fondacioni Dorcas Albania. Roli i këtij grupi është  diskutimi dhe dakordësimi mbi produktet e prodhuara nga grupi i ekspertëve të angazhuar në proces, sigurimi i bashkëpunimit me agjencitë e nevojshme për realizimin e procesit të vlerësimit të riskut, përfshirë ofrimin e të dhënave nga institucionet/organizatat përkatëse, ofrimi i komenteve dhe rekomandimeve mbi draf-vlerësimin dhe rekomandimet, si dhe aprovimi i raportit të vlerësimit të hartuar nga ekspertët.

 

Takimi i parë i Grupit Mbikqyrës u organizua më 3 dhjetor 2021, ku anëtarët u njohën me historikun dhe kontekstin e vlerësimit të riskut të FT në sektorin e OJF-ve, metodologjinë dhe procesin.

 

 

 

 


Video ndërgjegjësuese

Pasojat në veprimtarinë e OJF-ve nga masa e tepruara të qeverive në emër të pastrimit të parave dhe luftës kundër terrorizmit



Materiale informuese

       

 


Këto aktivitete financohen nga Projekti Global i GIZ ‘Lufta kundër qarkullimit të paligjshëm të fondeve’.

 

Raporti i Vlerësimit për Kuadrin Ligjor dhe Rregullator për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftën Kundër Financimit të Terrorizmit për Organizatat Jofitimprurëse në Shqipëri Shkarko
Assessment Report on Legal and Regulatory Framework on Counter-terrorist Financing and Anti-money Laundering for NPOs in Albania Shkarko
Parandalimi i kufizimeve për Organizatat e Shoqërisë Civile në emër të luftës kundër pastimit të parave dhe financimit të terrorizmit Shkarko
Shpjegimi i FATF Shkarko
FATF dhe OJFte - Rekomandimi 8 Shkarko
Qasja e bazuar në risk Shkarko
Mbirregullimi Shkarko