3 maj – afati i fundit për aplikim në konkursin kombëtar “Ide të Gjelbërta 2016”
Partnerët Shqipëri ka shpallur konkursin kombëtar Ide të Gjelbërta 2016.
Qëllimi i konkursit kombëtar “Ide të Gjelbërta ” është mbështetja e nismave të biznesit të cilat synojnë përfshirjen sociale, përmes integrimit dhe punësimit, dhe zhvillimin ekonomik lokal përmes ideve miqësore ndaj mjedisit.
Sot një ndër sfidat më të mëdha për ekonomitë mbetet gjetja e formave të reja të organizimit dhe angazhimit të komuniteteve lokale me qëllim sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm, reduktimin e impaktit negativ në mjedis e për rrjedhojë një shpërndarje më të drejtë të përfitimeve. Lidhja me tokën dhe burimet lokale po humbet ndërkohë që ndjenja e komunitetit po dobësohet. Futja në tregje e kompanive shumëkombëshe po nxjerr jashtë tij fermerët e vegjël, prodhuesit tradicionalë të punimeve të dorës, produkteve ushqimore duke rritur shkallën e papunësisë dhe varësisë, duke sjellë ndryshime në nivelin social, ekonomik e kulturor. Në këtë kuadër gjykohet se idetë e gjelbërta të individëve dhe kompanive mund të luajnë një rol për të motivuar, identifikuar dhe mobilizuar burime për të adresuar në mënyrë strategjike çështje që kanë të bëjnë me humbjen e traditës në prodhim dhe zhvillimin e tregjeve lokale, nëpërmjet stimulimit të ideve të gjelbërta.
Kriteret që duhet të plotësojë ideja që konkuron:
- Është një ide e gjelbërt që nuk ka filluar të zbatohet apo është në fazë embrionale.
- Nëse subjekti nuk është një organizatë e shoqërisë civile, sipërmarrja duhet të kategorizohet në nivelin e biznesit të vogël.
- Nëse subjekti është individ, ai duhet të parashikojë në planin e biznesit llojin e rregjistrimit ligjor të projekt – idesë.
- Ideja synon zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës dhe/ose rritjen e të ardhurave.
- Ideja përputhet me aktivitetin bazë të subjektit që aplikon.
- Projekt-ideja bazohet tërësisht në përdorimin e burimeve lokale.
- Projekt-ideja bazohet në një plan të detajuar biznesi dhe është miqësore ndaj mjedisit.
- Projekt-ideja mobilizon punën dhe ekspertizën e burimeve lokale si dhe vë në shfrytëzim aftësitë e tyre tradicionale.
- Projekt-ideja ka një plan sesi mund të sigurojë rritjen e aktivitetit dhe qëndueshmërinë financiare.
- Subjekti që aplikon duhet të tregojë se ka informacion apo ka bërë një vlerësim të tregut lokal që tregon se nevoja ekziston; njeh konkurrentët e tij dhe ideja paraqet avantazhe konkurruese.
- Projekt-ideja do të mbështesë rivitalizimin e ekonomive lokale të traditës dhe lidhjen midis njerëzve dhe komunitetit.
- Subjektet që aplikojnë kanë të drejtë të marrin fonde nga ky konkurim, jo më shumë se një herë në dy vjet.
Kush mund të aplikojë:
Konkursi është i hapur për:
- Individë;
- Organizatat Jo-fitimprurëse;
- Biznesi i vogël në vend.
Kushtet e financimit:
Granti do të mbështesë projekt-ide të gjelbërta për një afat kohor jo më shumë se sa një vit dhe në shumë jo më të madhe se 800.000 lekë (të reja).
Inkurajohen bashkëfinancime nga burime alternative.
Dokumentat që duhen dorëzuar:
- Projekt propozim i cili ndërtohet dhe adreson të gjitha kriteret e lartëpërmendura;
- Një plan biznesi i detajuar i projekt-idesë i shoqëruar me pasqyrën e fluksit të parave (cash flow);
- Një dokument që vërteton statusin ligjor të subjektit që aplikon (vërtetim gjykate dhe NIPT);
- Për aplikantët individë, në rast të shpalljes së idesë fituese, përpara nënshkrimit të kontratës duhet të gëzojnë statutin e organizatave jo-fitimprurëse ose biznesit të vogël në përputhje me kuadrin ligjor në vend.
Procesi i përzgjedhjes:
Procesi i përzgjedhjes do të realizohet nga një juri ekspertësh, profesionistë të fushës së ekonomisë, drejtësisë, mjedisit dhe biznesit.
Procesi i vlerësimit do të realizohet në dy faza:
- Faza e parë do të jetë përzgjedhja nga ana e Partnerëve Shqipëri e ideve që plotësojnë kriteret bazë të aplikimit.
- Faza e dytë do të jetë përzgjedhja nga ana e jurisë e tre ideve më të mira bazuar në listën e të përzgjedhurve nga faza e parë, si pjesë e një konkurrimi të hapur publik.
Tre idetë fituese në nivel kombëtar do të bëhen automatikisht pjesë e konkurimit në nivel rajonal të organizuar nga Fondi Rockefeller Brothers dhe Partnerët Shqipëri, i cili do të organizohet në Serbi gjatë datave 26 – 29 korrik 2016.
Informacion mbi datat dhe afatet kohore:
Aplikimet mund të dorëzohen elektronikisht në adresën partners@partnersalbania.org, ose dorazi dhe me postë në adresën: Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, Rr: ”Sulejman Delvina”, N.18, H.8, Ap.12; Njësia Bashkiake 5; Kutia Postare 2418/1, Kodi postar 1022, Tiranë
Afati i fundit kohor për dorëzimin e aplikimeve është 3 maj 2016!
Partnerët Shqipëri do të nxjerrë një njoftim të dytë për datën e organizimit të konkursit.
Procesi i monitorimit:
Të gjithë fituesit në nivel kombëtar dhe rajonal do të hyjnë në një marrëdhënie kontraktuale si pjesë e këtij financimi, ku do të përcaktohen qartë detyrimet në nivel raportimi sipas indikatorëve të përcaktuar në projekt-ide dhe marrëveshjen e financimit.
Formati dhe gjuha:
Paraqitja e idesë duhet të bëhet në përputhje me kriteret e vendosura në thirrje, bashkëngjitur një buxheti të detajuar të kostove. Buxheti duhet të jetë në formën e një plani biznesi ku të paraqiten kostot që kërkohet të mbulohen nga Granti i Ideve të Gjelbërta dhe bashkëfinancimi nëse ka, për periudhën një vjeçare.
Gjuha për paraqitjen e projekt-idesë është në shqip.