Platforma e monitorimit të Këshillave Bashkiakë “e-qeverisjavendore.com”

Partnerët Shqipëri prezantoi në 2016 platformën e monitorimit të Këshillave Bashkiakë e-qeverisjavendore.comnjë platformë online e cila synon rritjen e transparencës së qeverisjes vendore dhe informimin e qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile e grupeve të interesit mbi punën dhe veprimtarinë e Këshillit Bashkiak.

Gjatë vitit 2016 Partnerët Shqipëri monitoroi të gjitha mbledhjet e këshillit bashkiak në Kuçovë dhe Lezhë.

Platforma u përditësua rregullisht me filmimet e plota të mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, projekt-vendimet e propozuara për Këshillin nga stafi i Bashkisë, diskutimet e këshilltarëve mbi draftet, vendimet e miratuara nga Këshilli si dhe ecurinë e zbatimit të këtyre vendimeve.

Nëpërmjet kësaj platforme, qytetarët dhe grupet e interesit patën mundësi të informohen, përfshihen dhe advokojnë për çështje prioritare që shqetësojnë komunitetin e tyre.

Krijimi i platformës e-qeverisjavendore.com u realizua në kuadrin e nismës pilot “Për një qeverisje lokale më të mirë përmes rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së Këshillave Bashkiakë”, zbatuar nga Partnerët Shqipëri me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.