Prezantohen projektet fituese të Thirrjes së Parë të Skemës së Nën-grantimit të Programit të Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën
Partnerët Shqipëri organizoi në 25 shkurt 2019 eventin prezantues të përfituesve të Thirrjes së Parë për Projekt Propozime të skemës së mbështetjes me grante të Programit të Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën, një program tre-vjeçar (2018-2021) i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, e përfaqësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Programi po zbatohet përmes një partneriteti Shqipëri – Kosovë, në Kosovë nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) i cili edhe udhëheq, dhe në Shqipëri nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PSH).
Qëllimi i përgjithshëm i programit është të mbështesë pjesëmarrjen demokratike dhe zhvillimin e një shoqërie civile të fuqishme dhe aktive në Shqipëri dhe Kosovë, e cila shtyn përpara procesin e anëtarësimit në BE përmes kontributit në njërën nga pesë fushat tematike, si më poshtë:
- Mos diskriminimi dhe barazia gjinore
- Mediat e pavarura
- Pakicat dhe grupet e margjinalizuara
- Mbrojtja e mjedisit
- Lufta kundër korrupsionit
Eventi u përshëndet nga Shkëlqesia e Tij Z. Per Strand Sjaastad, Ambasador i Norvegjisë për Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, i cili në fjalën e tij theksoi prioritetet e Qeverisë Norvegjeze përkundrejt Shqipërisë të cilat janë Integrimi në Bashkimin Evropian; Sektori Detar; Sundimi i ligjit si dhe Zhvillimi Social-Ekonomik. Duke vërejtur mungesën e fondeve për shoqërinë civile dhe me synimin për të forcuar rolin e tyre në proceset integruese ne BE erdhi dhe kjo mbështetje tre vjeçare nga Ministria e Jashtme Norvegjeze. Ambasadori bëri gjithashtu një prezantim të Norvegjisë dhe zhvillimeve e arritjeve kryesore të saj në rajon dhe Evropë.
Eventi shërbeu si një sesion njohës e prezantues për organizatat dhe projektet fituese në kuadër të kësaj skeme në funksion të forcimit të Shoqërisë Civile në Shqipëri.
Prezantimi i parë nisi nga Qendra Psiko-Sociale Vatra e cila operon në qytetin e Vlorës dhe po zbaton projektin “Sigurimi i një ndihme të qëndrueshme riintegrimi për ish-viktimat e trafikimit në Shqipëri”. Kjo nismë mbështet rreth 118 viktima të trafikimit duke siguruar riintegrimin e tyre në shoqëri.
Prezantimi i dytë u bë nga “Fondacioni Drejt së Ardhmes” (FFF) i cili në partneritet me organizatën udhëheqëse Fondacioni Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale (ALCDF) po zbaton në Divjakë e Lushnje projektin “Mjedis i pastër nëpërmjet një bujqësie të integruar”. Në vijim “Instituti i Studimeve Politike” (ISP) prezantoi projektin në fushën e anti-korrupsionit “Një parlament i pastër – Transparenca dhe Llogaridhënia”. Projekti i radhës i paraqitur nga Instituti Shqiptar i Medias (AMI) në kuadër të programit ishte “Forcimi i rolit të mediave të pavarura në reformën e drejtësisë në Shqipëri”. Dy projektet e prezantuara në vijim që do të kontribuojnë te fusha e pakicave dhe grupeve të margjinalizuara ishin “Ndërhyrja e hershme, domosdoshmëri për avancimin e zhvillimit të fëmijës” nga Shoqata “Ndihmoni Jetën” dhe “Rritja e përfshirjes sociale përmes zgjidhjes së të drejtave ligjore” nga Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS). Prezantimi i fundit që përmbylli edhe takimin ishte projekti “Promovimi i barazisë gjinore në Shqipëri: Një qasje multidisiplinare përmes ngritjes së kapaciteteve dhe ofrimit të shërbimeve për gratë” që po zbatohet nga fondacioni “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza” (CLWG).
Më shumë mbi projektet fituese në kuadër të kësaj skeme e gjeni këtu.