Programe trajnimi në Advokasi dhe Lobim
Partnerët Shqipëri organizuan tre programe trajnimi dy-ditore në “Advokaci dhe Lobim”, në Kavajë, Vlorë dhe Tiranë, me pjesëmarrjen e 52 përfaqësuesve të OJF-ve.
Programi u përqendrua në hartimin e fushatave konkrete të avokimit në komunitetet e tyre për çështje prioritare si infrastruktura për personat me aftësi të kufizuara, rivitalizimin e arsimit profesional, përfshirjen e arsimit mjedisor në programet shkollore, ndryshimet ligjore në masat ndëshkuese për ushtruesit e dhunës etj.
Partnerët Shqipëri duke synuar rritjen e numrit të organizatave përfituese, organizoi gjatë muajit Maj 2018 edhe një sesion trajnimi online në temën “Advokasi dhe Lobim” I cili u ndoq nga 10 OJF.
Në muajt qershor-korrik 2018, u organizuan dy programe të tjera trajnimi dyditore ku përfituan 24 përfaqësues të OJF-ve. Rritja e kapaciteteve të shoqërisë civile mbi Advokimin dhe Lobimin në nivel vendor me qëllim nxitjen e pjesëmarrjes qytetare në procese vendimmarrëse dhe rritjen e bashkëpunimit midis OShC-ve dhe pushtetit vendor ishte fokusi i programit të trajnimit.
Programi i trajnimit përmbyllës në këtë temë u zhvillua në tetor 2018 në qytetin e Beratit, ku 16 përfaqësues të organizatave lokale të shoqërisë civile patën mundësi të angazhohen, ndërveprojnë dhe të punojnë në grup për ngritjen dhe hartimin e fushatave konkrete advokuese në adresimin e problematikave lokale. Rritja e ndërgjegjësimit të të rinjve mbi rëndësinë e përfshirjes më aktive në jetën social-kulturore, niveli i ulët i interesit ndaj arsimit profesional, mungesa e transparencës në pushtetin lokal, dhuna ndaj grave, fenomeni i korrupsionit në shkolla, mungesa e trotuareve në lagjen Lapardha, janë disa prej problematikave të përkthyera në fushata advokuese përgjatë punës në grup të pjesëmarrësve.
Projekti “Partneritet OJF – Qeverisje vendore: Së bashku për pjesëmarrje më efektive” po zbatohet nga Partnerët Shqipëri në bashkëpunim me Partnerët për Ndryshim Demokratik Sllovaki (PDCS) dhe mbështetet financiarisht nga Slovak Aid – Asistenca Zyrtare për Zhvillim e Republikës së Sllovakisë.