Projekti WISEs4Youth

Partnerët Shqipëri së bashku me organizatat partnere nga rajoni dhe Evropa po zbatojnë projektin e ri WISEs4Youth për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor.

WISEs4Youth është një projekt i Erasmus + i cili synon zhvillimin e aftësive sipërmarrëse të sipërmarrësve të rinj (të mundshëm) social në Ballkanin Perëndimor.

Aktivitetet kryesore të projektit gjatë dy viteve të zbatimit të tij janë: vizita studimore, takime midis palëve,  trajnime dhe një paketë përfundimtare me mjete, rekomandime dhe rezultate për përfituesit. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve projekti do të mbështesë sipërmarrësit e rinj (potencial) social, të rinjtë tashmë të interesuar për të ndjekur trajnimet për sipërmarrjen, të rinjtë që kanë përfunduar arsimin e detyrueshëm dhe janë në kërkim të mundësive për punësim, duke u ofruar atyre mundësinë për të fituar njohuri dhe aftësi menaxheriale.

WISEs4Youth zbatohet nga Rrjeti Evropian i Ndërmarrjeve të Integrimit Social (ENSIE) Belgjikë, Act Group(AG) Kroaci, Shoqata Sllovene për Shëndetin Mendor (SENT) Slloveni, Iniciativa për Zhvillim dhe Bashkëpunim (IDC) Serbi, Instituti i Zhvillimit të Komunitetit (CDI) Maqedonia e Veriut, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA) Shqipëri.

 

Objektivat specifike të projektit:

  • Promovimi i sipërmarrjes sociale të të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor përmes trajnimeve dhe aktiviteteve të lëvizshmërisë (të tilla si vizita studimore).
  • Krijimi i metodologjisë dhe moduleve të trajnimit të replikueshëm dhe të qëndrueshëm, që do të orientojnë dhe garantojnë zbatimin efektiv dhe të synuar të trajnimit.
  • Promovimi i lëvizshmërisë dhe shkëmbimeve ndërmjet vendeve të ndryshme partnere të projektit nëpërmjet vizitave studimore të organizuara në sipërmarrje sociale me në fokus integrimin në punë (WISE- Work Integration Socaial Enterprise) ose sipërmarrje sociale të suksesshme.
  • Zbatimi i aktiviteteve të strukturuara trajnuese që përfshijnë partnerët dhe sipërmarrës të rinj potencialë, nëpërmjet zbatimit empirik të moduleve të trajnimit.
  • Nxitja e krijimit të WISE-ve rajonale dhe rrjeteve të sipërmarrjeve  sociale në rajon, promovimi i impaktit social të këtyre bizneseve dhe ndër të tjera rritja e përfitimit të përbashkët dhe  përfshirjes së të rinjve.
  • Matja e impaktit nga rezultatet e projektit (Toolkit).

 

Partnerët zbatues të WISEs4Youth:

Rrjeti Evropian i Ndërmarrjeve të Integrimit Social (ENSIE) Belgjikë

 

Act Group (AG) Kroaci

Shoqata Sllovene për Shëndetin Mendor (SENT) Slloveni

 Iniciativa për Zhvillim dhe Bashkëpunim (IDC) Serbi

Instituti i Zhvillimit të Komunitetit (CDI) Maqedonia e Veriut

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA) Shqipëri.

Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

 

 

Takimi i parë për nisjen e projektit

Më 13 maj, partnerët e projektit zhvilluan takimin e parë online për nisjen e projektit WISEs4Youth, ku ndan vizionin e tyre për projektin, diskutuan mbi paketat e punës, dhe përcaktuan hapat e ardhshëm dhe aktivitetet e para që do të nisin në muajt në vijim.


 

 

 

 

Takimi i parë  transnacional i projektit

Më 9 shtator, partnerët u takuan online për takimin e parë transnacional të projektit WISEs4Youth, për të bërë një analizë të aktiviteteve të realizuara dhe udhëhequra nga konsorciumi që nga fillimi i projektit, dhe për të shkëmbyer lajmet më të fundit rreth projektit dhe hapat e ardhshëm. Gjithashtu u prezantuan dhe diskutuan me partnerët udhëzuesi për garantimin e cilësisë dhe vlerësimin e brendshëm, si dhe puna për përgatitjen e  moduleve të trajnimit.


 

 

Produktet e projektit WIESEs4Youth

1- Në kuadër të projektit WISEs4Youth, partnerët e projektit përgatitën produktin e parë, të cilat janë dy module trajnimi drejtuar sipërmarrësve të rinj (potencial) të ardhshëm në Ballkanin Perëndimor:

  • Kurrikula për (trajnimin e partnerëve) mbi Sipërmarrjet  Sociale (SE) dhe Sipërmarrjet Sociale me në fokus Integrim në Punë (WISE – Work Integration Social Enterprise) – Shkarkoni dokumentin në Anglisht

Të dyja kurrikulat do të përdoren gjatë sesioneve trajnuese që do të mbahen në vendet partnere (Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Veriut, Kroaci, Slloveni) për të rinjtë që synojnë dhe aspirojnë të bëhen sipërmarrës socialë!

Është publikuar gjithashtu raporti mbi “Zhvillimin e Moduleve të Trajnimit”. Qëllimi i këtij raporti është të shpjegojë arsyetimin që qëndron pas procesit të zhvillimit të dy moduleve të trajnimit. Raporti është i disponueshëm në secilën gjuhë përkatëse të partnerëve të projektit. Shkarkojeni këtu në shqip.


 

 


Trajnim për Trajnerë

Partnerët e projektit u mblodhën së bashku në Lubljanë në 15-20 Janar 2023, në ambientet e organizatës SENT, në një ‘Trajnim për Trajnerë’ ku u njohën dhe diskutuan përmbajtjen e këtyre kurrikulave, si dhe metodologjinë për transmetimin e njohurive të marra në TOT, në trajnimet që do të zhvillohen në vendet partnere (Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Veriut, Kroaci, Slloveni) për të rinjtë që synojnë dhe aspirojnë të bëhen sipërmarrës socialë!


 

TRAJNIM PËR SIPËRMARRËSIT E RINJ SOCIAL NË SHQIPËRI

Në vijim të trajnimit ToT në Lubjanë, Partnerët Shqipëri organizoi gjatë javëve të fundit të muajit mars, një program trajnimi 5-ditor mbi “Menaxhimin e Sipërmarrjeve Sociale dhe WISEs” dhe “Matjen dhe Menaxhimin e Impaktit Social”, për sipërmarrësit e rinj socialë në Shqipëri. Nëpërmjet programit të trajnimit, sipërmarrësit e rinj socialë morën më shumë njohuri rreth koncepteve të sipërmarrjes sociale, kuadrit ligjor dhe zhvillimit të sipërmarrjeve sociale në Shqipëri, me qëllim zhvillimin dhe përmirësimin e aspekteve të ndryshme të menaxhimit të sipërmarrjes sociale. Gjithashtu gjatë trajnimit të rinjtë praktikuan dhe zhvilluan modelin e biznesit për sipërmarrjet e tyre sociale, mësuan dhe ndërtuan modelin dhe strukturën për Matjen dhe Menaxhimin e Impaktit Social (MMIS) të sipërmarrjes së tyre sociale, me synimin për të ndërtuar sipërmarrje sociale të qëndrueshme me një impakt të rëndësishëm social. Pas trajnimit, sipërmarrësit e rinj do të kenë mundësinë të fitojnë edhe eksperiencë në praktikë përmes pjesëmarrjes në vizitat studimore të organizuara në sipërmarrje sociale të përzgjedhura, në vendet partnere të projektit WISEs4Youth.

Trajnime të ngjashme u zhvilluan gjithashtu edhe nga partnerët e konsorciumit të projektit WISEs4Youth në secilin prej vendeve të tyre përkatëse.

Në përfundim të këtyre trajnimeve u përgatit një raport përfundimtar mbi zbatimin e trajnimeve, i cili përfshin rezultatet e të 5 trajnimeve të zbatuara në Shqipëri, Kroaci, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Slloveni.

Lexoni Raportin Përfundimtar mbi Zhvillimin e Trajnimeve në anglisht këtu.

Lexoni Raportin Përfundimtar mbi Zhvillimin e Trajnimeve në shqip këtu.


 

EVENTI VIRTUAL “PEER LEARNING” “SIPËRMARRJA SOCIALE SI NXITËS PËR RRITJEN E GJITHËPËRFSHIRJES SË TË RINJVE: SHKËMBIMI I PRAKTIKAVE TË MIRA DHE FORCIMI I MBËSHTETJES LOKALE”

Më 18 maj, partnerët e projektit WISEs4Youth zhvilluan me sukses eventin virtual “Peer Learning” “Sipërmarrja Sociale si Nxitës për Rritjen e Gjithëpërfshirjes së të Rinjve: Shkëmbimi i Praktikave të Mira dhe Forcimi i Mbështetjes Lokale”

Ky event solli së bashku përfaqësues nga autoritetet lokale dhe kombëtare nga Ballkani Perëndimor, sipërmarrës social, WISEs (sipërmarrje sociale me në fokus integrimin në punë), dhe lider të rinj për të shkëmbyer njohuri, praktikat e mira dhe eksperiencat e tyre përsa i përket ndërtimit dhe ofrimit të një mbështetje më të madhe për sipërmarrjet sociale (të të rinjve), nxitjen e impaktit social, zhvillimin dhe gjithëpërfshirjen e të rinjve.

Pjesëmarrësit në event patën mundësinë të eksplorojnë dhe të mësojnë më shumë mbi sipërmarrjen sociale, rolin e WISE-ve në ekonomitë lokale dhe kombëtare, kuadrin ligjor mbi të cilin ato veprojnë dhe masat e ndërmarra nga qeveritë për mbështetjen e sipërmarrjeve soicale. Këto tema u prezantuan nga një grup prej 7 panelistësh me përfaqësues nga autoritetet  lokale dhe kombëtare nga Shqipëria, Kroacia, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia.

Mes panelistëve ishte edhe znj. Joniada Hito, përfaqësuese e Bashkisë së Tiranës. Ajo ndau me pjesëmarrësit punën e Bashkisë Tiranë në mbështetje të sipërmarrjes sociale/WISEs, duke prezantuar skemat mbështetëse financiare në dispozicion dhe praktikat e mira në lidhje me sipërmarrjen sociale.

Gjithashtu, nëpërmjet sesioneve interaktive, pjesëmarrësit diskutuan sfidat e sipërmarrjeve sociale/WISE-ve në ekosistemet e tyre, mundësitë në dispozicion për mbështetjen e tyre dhe mundësitë  për rrjetëzim dhe për të krijuar partneritete.

Lexoni dokumentet që do t’ju ndihmojnë të organizoni aktivitete të tilla:

Udhëzues për “peer to peer learning”
Raportin Vlerësues për aktivitetin


VIZITË STUDIMORE NË SHQIPËRI
Më 26 qershor, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim organizoi vizitën e parë studimore në kuadër të projektit WISEs4Youth, duke mirëpritur 16 pjesëmarrës, përfshirë  këtu sipërmarrës të rinj social dhe përfaqësues të organizatave partnere, për një ditë të mbushur me frymëzim dhe shkëmbim njohurish.

Gjatë vizitës studimore, sipërmarrësit e rinj patën mundësinë të vizitojnë tre sipërmarrje sociale shqiptare, të mësojnë rreth aktiviteteve të këtyre sipërmarrjeve dhe të fitojnë njohuri mbi ekosistemin e sipërmarrjes sociale në Shqipëri. Ata u angazhuan në diskutime  si dhe shkëmbyen ide dhe dëshmuan impaktin pozitiv që kanë këto sipërmarrje sociale.

Tre sipërmarrjet sociale të vizituara  në Shqipëri ishin:

Te Xhoni Kafe është një sipërmarrje sociale, një kafe që jo vetëm ofron pije, por shërben edhe si platformë për përfshirjen sociale dhe punësimin e fëmijëve/të rinjve me sindromën Down.

Tirana Green Living është një projekt i sipërmarrjes sociale nga Qendra për Edukim Kulinar, i fokusuar në ofrimin e produkteve ushqimore me çmime  të përballueshme, promovimin e vlerave sociale, angazhimin e komunitetit, zhvillimin e aftësive, ofrimin e mundësive të punësimit dhe mbështetjen e ekonomisë lokale, ndërkohë që thekson qëndrueshmërinë mjedisore përmes reduktimit të mbetjeve dhe konsumit të  përgjegjshëm.

Funky Cabins është një sipërmarrje sociale inovative, një hotel ekologjik për shërbime turistike, që ofron opsione akomodimi unike dhe miqësore me mjedisin, duke promovuar turizmin e qëndrueshëm dhe duke kontribuar në rigjallërimin e zonave rurale dhe integrimin e komunitetit nëpërmjet punësimit.


VIZITË STUDIMORE NË SERBI
Gjatë datave 10-12 shtator, Partnerët Shqipëri së bashku me tre sipërmarrës të rinj (potencial) social, të cilët ishin edhe pjesëmarrës në trajnimin mbi Sipërmarrjen Sociale të organizuar nga PSH në muajt mars-prill, morën pjesë në vizitën e dytë studimore të organizuar në Beograd, Serbi në kuadër të projektit WISEs4Youth.
Në këtë vizitë studimore, sipërmarrësit e rinj (potencial) social nga Ballkani Perëndimor vizituan tre sipërmarrje sociale të suksesshme, shkëmbyen eksperienca dhe mësuan më shumë rreth ekosistemit sipërmarrës në Serbi: Nasa Kuca, një sipërmarrje sociale e cila mbështet, integron dhe angazhon në punë persona me aftësi ndryshe; CAFE BAR 16,  një sipërmarrje sociale e themeluar nga Center for Youth Integration për të ofruar mbështetje për punësim për të rinjtë që jetojnë dhe punojnë në rrugë (kryesisht për komunitetin rom); dhe LICE ULICE, një sipërmarrje sociale e cila mbështet grupet e margjinalizuara, me synim integrimin social dhe ekonomik të tyre.


 

VIZITË STUDIMORE NË CAKOVEC, KROACI

Pjesëmarrësit nga secili prej vendeve ku operojnë organizatat partnere në zbatimin e Wise4Youth, po vizitojnë  sipërmarrje sociale të suksesshme në secilin prej këtyre vendeve, duke shkëmbyer eksperienca dhe njohur me modele të suksesshme. Vizita e tretë studimore në kuadër të projektit WISEs4Youth, u organizua në Cakovec, Kroaci, gjatë 3-5 tetor 2023.

Përgjatë 3 ditëve, pjesëmarrësit vizituan 6 sipërmarrje sociale që angazhojnë dhe punësojnë persona nga grupe të marzhinalizuara: The Međimurje County Home Care Center  që ofron shërbime e aktivitete të ndryshme argëtuese për moshat e treta; ACT Konto d.o.o. e specializuar në ofrimin e shërbimeve profesionale, cilësore financiare, kontabiliteti, dhe konsulentë mbi operacionet financiare për organizatat jo fitimprurëse dhe fitimprurëse në Kroaci; ACT Printlab d.o.o. një studio grafike dhe web design, e cila u ofron partnerëve (organizata të shoqërisë civile, sipërmarrjeve sociale…) shërbime profesionale, me cilësi të lartë, produkte dhe shërbime inovative që ndjekin/përgjigjen nevojave të partnerëve (dhe komunitetit); Socijalna zadruga Human Nova, ose Kooperativa Sociale Humana Nova që punëson persona me aftësi të kufizuara dhe persona të përjashtuar nga shoqëria, për mbledhjen e tekstileve, ripërdorimin dhe riciklimin e tyre duke krijuar produkte të reja inovative me cilësi të lartë; Lumbago e cila ofronte masazhe klasike, dhe mjekësore; dhe KopriVITA d.o.o., e cila ka për synim punësimin e personave nga grupet e margjinalizuara për prodhimin e produkteve (ëmbëlsira, makarona, çaj, etj.) të cilat kanë si ingredientë kryesor bimën e hithrës.


VIZITË STUDIMORE NË SHKUP, MAQEDONI E VERIUT

Në kuadër të projektit WISEs4Youth, sipërmarrës të rinj potencial social nga Shqipëria dhe vendet e Ballkani Perëndimor morën pjesë së bashku në vizitën e katërt studimore të organizuar gjatë 8-10 nëntorit në Tetovë-Shkup, Maqedoni e Veriut.

Duke nisur rrugëtimin e tyre drejt suksesit, sipërmarrësit e rinj potencialë socialë vizituan 3 sipërmarrje të suksesshme sociale:

  • LICEVLICE (Face to Face), një sipërmarrje sociale e cila konsiston në botimin dhe shpërndarjen e revistës Lice v Lice. Synimi i saj është fuqizimi dhe integrimi social dhe ekonomik i grupeve të margjinalizuara kryesisht i të rinjve nga komuniteti rom, të rinjve me aftësi të kufizuara dhe të pastrehëve, të cilët  integrohen në punë si shitës të revistës, në rrugët e qyteteve  kryesore të Maqedonisë së Veriut. Lice v Lice është një revistë që  kryesisht ka në fokus promovimin e sipërmarrësve dhe sipërmarrjeve që operonjnë në vend, dhe trajnon tematika në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm. Sipërmarrja ofron dhe produkte të tjera si kartolina për vitin e ri, dhe ‘good gards’ të cilat përcillnin mesazhe të ndryshme nëpërmjet fotove, kryesisht për fuqizimin e grave.
  • Organizata SIEC me sipërmarrjen Inspira Design. Sipërmarrja është themeluar nga një grup stilistësh të cilët krijojnë dhe ri-dizenjojnë artikuj dhe produkte të reja të modës nëpërmjet riciklimit të rrobave.  Produktet kryesore janë çantat dhe përparëse kuzhine. Sipërmarrja ka në fokus fuqizimin e grave dhe të rinvje nga komuniteti rom nëpërmjet punësimit, si dhe promovimin e ‘slow fashion’ dhe konsumatorit etik.
  • KRIK është një qendër për aktivizmin rinor e krijuar dhe e udhëhequr nga të rinjtë. KRIK-u përpiqet të inkurajojë një pjesëmarrje më të madhe të të rinjve, aktivizim rinor dhe përfshirjen e tyre në procesin e politikë bërjes në nivel lokal dhe kombëtar. KRIK organizon kampe verore, ofron terapi profesionale dhe shërbime të ndryshme si kurse këndimi, kërcime, teatri etj me në fokus të rinjtë me aftësi ndryshe. Përveç aktiviteteve të tjera, organizata funksionon edhe si sipërmarrje sociale për prodhimin e bizhuterive nga të rinjtë me aftësi të kufizuara.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitonin Qendrën për Sipërmarrjet Sociale në Maqedoninë e Veriut. Qendra funksiononte si një inkubator për mbështetjen e sipërmarrjeve sociale ekzistuese dhe OSHC-ve që janë të përfshirë në ekonominë sociale. Gjithashtu ARNO, një organizatë që punon për zhvillimin e inovacionit social, dhe një nga aktorët e rëndësishëm të ekosistemit të sipërmarrjes sociale në Maqedoninë e Veriut prezantuan projektet dhe iniciativat e tyre në kuadër të inovacionit social dhe sipërmarrjes sociale.


VIZITË  STUDIMORE NË LUBJANË, SLLOVENI

Në kuadër të projektit WISEs4Youth, 3 sipërmarrës të rinj (potencial) social nga Shqipëria së bashku me sipërmarrës nga rajoni i Ballkanit Perëndimor morën pjesë në vizitën e fundit studimore të organizuar gjatë 4-6 dhjetor në Lubjanë-Kranj, Slloveni.

Sipërmarrësit e rinj (potencial) vizituan 3 sipërmarrje sociale të suksesshme, duke u inspiruar kështu për të nisur rrugëtimin drejt zhvillimit apo ngritjes së sipërmarrjeve të tyre.

Sipërmarrjet sociale të vizituara ishin:

Dobrovita është një kompani sociale që fokusohet në rehabilitimin dhe punësimin e personave me aftësi mendore të kufizuara për një kohë të gjatë. Ata operojnë në sektorë të ndryshëm aktivitetesh si shërbimet e pastrimit, rilevimi i tokës, peizazhi dhe montimi i produkteve. Për Dobrovita, njerëzit janë thelbi për të qenë të suksesshëm në treg, dhe specialiteti i tyre është diversiteti i strukturës së punonjësve, pasi ndër mbi 180 punonjës, ata kombinojnë ekspertë (mentorë) nga fusha të ndryshme dhe njerëz që janë të vështirë për t’u punësuar.

Kovacnica është një hapësirë e përbashkët dhe inkubator biznesi që mbështet sipërmarrësit në të gjithë Slloveninë dhe jo vetëm. Nëpërmjet programeve, seminareve, leksioneve dhe eventeve që lidhen me sipërmarrjen, ata mbështesin komunitetin në fillimin dhe zhvillimin e nismave të suksesshme të biznesit. Gjithashtu, hapësirat e Kovacnica janë në dispozicion për sipërmarrësit aspirantë për t’i përdorur si zyrat e tyre të para gjatë fazës fillestare të udhëtimit të tyre sipërmarrës, duke shfrytëzuar mjetet dhe lehtësitë e ofruara në këto ambiente.

Druga Violina, është një sipërmarrje sociale, një restorant në qendër të Lubjanës që punëson persona me nevoja të veçanta. Punonjësit marrin pjesë në mënyrë aktive në të gjitha aspektet e funksionimit të restorantit, duke përfshirë gatimin në kuzhinë dhe ofrimin e shërbimeve për klientët, duke ofruar kështu një eksperiencë të veçantë dhe të paharrueshme për klientët e tyre.

Gjithashtu, pjesëmarrësit vizituan një qendër ditore dhe një qendër për përfshirje sociale, programe dhe aktivitete të ŠENT – Slovensko združenje za duševno zdravje, një OJF e themeluar për të ndihmuar individët me probleme të shëndetit mendor, apo me shqetësime të përkohshme mendore, si dhe të afërmit e tyre. Organizata është aktive në fushat e mirëqenies sociale, shëndetësisë, arsimit, punësimit dhe të tjera.


Praktika të Mira të Ekonomisë Sociale në Ballkanin Perëndimor

Dokumenti përmbledhës me “Praktika të Mira të Ekonomisë Sociale në Ballkanin Perëndimor” prezanton modele të suksesshme të biznesit social dhe shumëllojshmërinë e tyre. Ai përmban një përshkrim të shkurtër të kontekstit të ekonomisë sociale të secilit vend partner të projektit dhe të sipërmarrjeve sociale të  vizituara  në kuadër të vizitave studimore, si një portofol i praktikave më të mira të cilat përputhen dhe plotësojnë modulet e trajnimit dhe trajnimet e zhvilluara në secilin shtet partner të projektit.

Lexoni Dokumentin “Praktika të mira të Ekonomisë Sociale në Ballkanin Perëndimor  në shqip.

Lexoni Dokumentin “Praktika të mira të Ekonomisë Sociale në Ballkanin Perëndimor” në anglisht.


Konferenca Përfundimtare e Projektit WISEs4Youth me temë “Politikat Mbështetëse drejt Sipërmarrjes Sociale Rinore në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”

Më datën 19/03/24 u mbajt konferenca finale e projektit WISEs4Youth në Bruksel dhe online në Zoom. Konferenca u fokusua në prezantimin e rezultateve të projektit, politikave mbështetëse të BE-së për sipërmarrjet sociale të të rinjve në Ballkanin Perëndimor, prezantimin e nismave ekzistuese kombëtare dhe lokale dhe masave mbështetëse drejt sipërmarrjes rinore dhe zhvillimit të ekonomisë sociale në përgjithësi si dhe në ndarjen e dëshmive nga të rinjtë dhe eksperiencën e tyre nga pjesëmarrja në programet e trajnimit dhe vizitat studimore në WISE  (Sipërmarrje Sociale që kanë në fokus Integrimin në Punë) dhe sipërmarrje sociale të tjera.

Për më shumë informacion dhe prezantimet gjatë konferencës, klikoni këtu.

Lexoni dokumentin përmbledhës mbi konferencën finale këtu.


Tooklit Përfundimtar i projektit WISEs4Youth

Toolkit ofron një përmbledhje të mësimeve të nxjerra gjatë zbatimit të projektit, me synim arritjen e qëndrueshmërisë së rezultateve të projektit edhe pas përfundimit të periudhës së zbatimit. Ai shërben jo vetëm për qëndrueshmërinë e projektit, por edhe si një eksperiencë pilot që mund të motivojë aktorë të ndryshëm dhe të nxisë veprime të ngjashme për tema të ndryshme, në vende të tjera fqinje dhe të Bashkimit Evropian (BE).

Qëllimi është të sigurohet jetëgjatësia e rezultateve të projektit duke fuqizuar sipërmarrësit e rinj potencialë socialë dhe aktorë të tjerë të mundshëm të ekonomisë sociale për të replikuar, përshtatur, adoptuar dhe zbatuar mjetet, strategjitë dhe rekomandimet nga ky projekt. Kjo përqasje lehtëson formulimin, zhvillimin dhe ekzekutimin e projekteve të suksesshme nga aktorë të tjerë potencialë jashtë fokusit të projektit, si dhe brenda një kuadri më të gjerë.

Toolkit është përgatitur në 6 gjuhë. Lexojeni këtu në anglisht.


Udhërrëfyes mbi Qëndrueshmërinë e Sipërmarrjeve Sociale midis të Rinjve: Një Udhëzues për Sipërmarrësit e Rinj për të Ndërtuar Sipërmarrje Sociale të Qëndrueshme

Udhërrëfyesi mbi Qëndrueshmërinë e Sipërmarrjeve Sociale paraqet një strukturë praktike të përshtatur veçanërisht për individë të rinj që përballen me  kompleksitetin dhe vështirësitë e sipërmarrjes sociale. Duke ofruar hapa të qartë dhe të përcaktuara për tu ndjekur, Toolkit pajis sipërmarrësit aspirantë me njohuritë e nevojshme për të nisur udhëtimin e tyre sipërmarrës me vetëbesim dhe qëllime të përcaktuara.

Udhërrëfyesi ofron një udhëzues me hapa të thjeshtë për të ndërtuar një sipërmarrje sociale të qëndrueshme dhe përfshin praktika të mira nga vendet e Ballkanit Perëndimore dhe Bashkimit Evropian, të cilat mund të përdoren si modele për replikim.

Gjithashtu, njohuritë  dhe pikëpamjet e mbledhura nga përfaqësuesit e sipërmarrjeve sociale përmes pyetësorëve e pasurojnë udhërrëfyesin me perspektiva të vlefshme të botës reale. Udhërrëfyesi paraqet një sërë hapash veprues për sipërmarrësit e rinj për ti marrë në konsideratë dhe adoptuar, duke i udhëhequr ata në krijimin e sipërmarrjeve sociale që nuk janë vetëm të përkushtuara ndaj misionit të tyre social, por gjithashtu përfshijnë dhe parimet e qëndrueshmërisë, të dizajnuara për të arritur qëndrueshmërinë financiare afatgjatë, duke sjellë impakt pozitiv afatgajtë  brenda komuniteteve të tyre dhe më gjerë.

Lexoni Udhërrëfyesin mbi Qëndrueshmërinë e Sipërmarrjeve Sociale në anglisht.