Rritja e aktivizmit të të rinjve për të kontribuar në përmirësimin e demokracisë vendore – Kampet e Demokracisë Vendore

#KampeteDemokracisëVendore është iniciativa më e re e organizuar nga Partnerët Shqipëri në kuadër të projektit LevizAlbania, me qëllim aftësimin dhe aktivizimin e të rinjve dhe të rejave për të kontribuar në përmirësimin e demokracisë vendore në qytetet e tyre.

kolazh kampet Dy kampet e para në të cilat morën pjesë 40 të rinj e të reja, u organizuan në rajonin e Korçës dhe Shkodrës, në shkurt-mars 2018. Gjatë këtij programi, pjesëmarrësit u njohën me parimet dhe teknikat e qeverisjes me pjesëmarrje, si dhe diskutuan mbi çështje prioritare rreth të cilave të ndërtojnë një plan konkret veprimi në nivel vendor, me të cilin mund të aplikojnë në thirrjet e LevizAlbania.

 

Kampi i tretë u zhvillua në Vlorë, gjatë #JavaDemokraciseVendore2018 (7-11 maj 2018) të LevizAlbania. Pjesëmarrësit në kampin e Vlorës patën mundësinë të diskutonin me Znj. Fabiola Deliaj, Këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun pranë Bashkisë Vlorë, mbi mundësitë e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrjen dhe politikëbërjen lokale. Gjithashtu, Znj. Alketa Dhimitri, Drejtore e Qendrës Rinore Vlorë dhe grantmarrëse e LevizAlbania, prezantoi eksperiencën e saj në zbatimin e projektit “Vlerësimi i Komunitetit për Qeverisjen në Bashkinë Selenicë.

Një vlerë e shtuar e kampeve ishte edhe takimi virtual me Shoqatën për Iniciativa Demokratike (ADI) nga Maqedonia, e cila ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e saj në monitorimin e procesit të decentralizimit në Maqedoni, dhe në veçanti u ndal në pjesëmarrjen e pakicave etnike në sferën politike dhe ekonomike.

32235684_10156209879298955_8646569319255244800_o 32191695_10156209879268955_6387088910043840512_o 32202762_10156208097298955_1597945528824365056_o


LevizAlbania është një projekt që synon të ketë një efekt katalizator për demokracinë vendore në Shqipëri. Nëpërmjet Thirrjes për aplikime, LA mbështet nisma konkrete që synojnë të ndryshojnë nivelin e demokracisë vendore, përmirësojnë qeverisjen lokale, rrisin transparencën, llogaridhënien, promovojnë dhe mbështesin përfshirjen në vendimmarrje si dhe nxitjen e politikave vendore që forcojnë rolin e të rinjve. Projekti LevizAlbania zbatohet nga “Fondacioni Shoqëria e Hapur Për Shqipërinë”, “Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim” dhe “Co-Plan” dhe financohet nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.