Rritja e aktivizmit të të rinjve për të kontribuar në përmirësimin e demokracisë vendore – Kampet e Demokracisë Vendore
#KampeteDemokracisëVendore është iniciativa më e re e organizuar nga Partnerët Shqipëri në kuadër të projektit LevizAlbania, me qëllim aftësimin dhe aktivizimin e të rinjve dhe të rejave për të kontribuar në përmirësimin e demokracisë vendore në qytetet e tyre.
Dy kampet e para në të cilat morën pjesë 40 të rinj e të reja, u organizuan në rajonin e Korçës dhe Shkodrës, në shkurt-mars 2018. Gjatë këtij programi, pjesëmarrësit u njohën me parimet dhe teknikat e qeverisjes me pjesëmarrje, si dhe diskutuan mbi çështje prioritare rreth të cilave të ndërtojnë një plan konkret veprimi në nivel vendor, me të cilin mund të aplikojnë në thirrjet e LevizAlbania.
Kampi i tretë u zhvillua në Vlorë, gjatë #JavaDemokraciseVendore2018 (7-11 maj 2018) të LevizAlbania. Pjesëmarrësit në kampin e Vlorës patën mundësinë të diskutonin me Znj. Fabiola Deliaj, Këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun pranë Bashkisë Vlorë, mbi mundësitë e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrjen dhe politikëbërjen lokale. Gjithashtu, Znj. Alketa Dhimitri, Drejtore e Qendrës Rinore Vlorë dhe grantmarrëse e LevizAlbania, prezantoi eksperiencën e saj në zbatimin e projektit “Vlerësimi i Komunitetit për Qeverisjen në Bashkinë Selenicë.
Një vlerë e shtuar e kampeve ishte edhe takimi virtual me Shoqatën për Iniciativa Demokratike (ADI) nga Maqedonia, e cila ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e saj në monitorimin e procesit të decentralizimit në Maqedoni, dhe në veçanti u ndal në pjesëmarrjen e pakicave etnike në sferën politike dhe ekonomike.
LevizAlbania është një projekt që synon të ketë një efekt katalizator për demokracinë vendore në Shqipëri. Nëpërmjet Thirrjes për aplikime, LA mbështet nisma konkrete që synojnë të ndryshojnë nivelin e demokracisë vendore, përmirësojnë qeverisjen lokale, rrisin transparencën, llogaridhënien, promovojnë dhe mbështesin përfshirjen në vendimmarrje si dhe nxitjen e politikave vendore që forcojnë rolin e të rinjve. Projekti LevizAlbania zbatohet nga “Fondacioni Shoqëria e Hapur Për Shqipërinë”, “Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim” dhe “Co-Plan” dhe financohet nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.