Rritja e Pjesëmarrjes Aktive të Qytetarëve në Proceset Politike dhe Vendimmarrjen Vendore
Në kuadër të zgjedhjeve lokale 2015, Partnerët Shqipëri ka punuar në drejtim të rritjes së pjesëmarrjes aktive të publikut në proceset politike dhe vendim-marrjen vendore.
Partnerët Shqipëriasistoi koalicionet e palëve të interesit (përfaqësuesve të OJF-ve, biznesit, medias, të rinjve e studentëve, etj.) në Durrës, Vlorë, Pukë, Lezhë, Kavajë, Elbasan dhe Pogradec, për hartimin dhe zbatimin e fushatave advokuese për çështjet prioritare në komunitetet e tyre.
Në periudhën para-zgjedhore, koalicionet e qytetarëve punuan për të identifikuar dhe për të përfshirë çështjet prioritare në axhendat dhe programet e kandidatëve për kryetarë bashkie.
Që prej shtatorit, Partnerët Shqipëri po asiston koalicionet e qytetarëve për të kthyer premtimet zgjedhore në plane pune konkrete në bashkitë përkatëse, me qëllim krijimin e një modeli të qëndrueshëm të buxhetimit me pjesëmarrje si një mekanizëm për të rritur përfaqësimin dhe ndikimin e qytetarëve në vendimmarrjen vendore. Partnerët Shqipëri ka përpiluar një procedurë të brendshme për buxhetimin me pjesëmarrje në këto bashki, e cila tashmë është një dokument i miratuar në komunat e Vlorës, Pukës dhe Kavajës. Në ditët në vijim ajo pritet të bëhet e tillë edhe në bashkitë e tjera.
Iniciativa zbatohet nga Partnerët Shqipëri me mbështetjen e Qendrës Olof Palme International dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.