SHKOLLA E EKONOMISË SOCIALE – THIRRJE PËR PJESËMARRJE

Partnerët Shqipëri fton të rinjtë dhe të rejat për të marrë pjesë në Shkollën e Ekonomisë Sociale.

Aktiviteti konsiston në një trajnim 3-ditor ku sipërmarrësit e rinj socialë, punonjësit e organizatave rinore dhe të rinjtë e të rejat e tjerë të interesuar, që i perkasin grupmoshës 18-30 vjeç, do të mësojnë mbi konceptin e Ekonomisë Sociale dhe do të marrin njohuri për të zhvilluar një ide inovatore që i përgjigjet një sfide në komunitet duke e kthyer në një sipërmarrje sociale të qëndrueshme, por duke e parë edhe si një mundësi punësimi.

Trajnimi synon të nxisë të rinjtë që të nisin dhe zhvillojnë një biznes social, duke i mbështetur ata në secilën fazë të rrugëtimit të tyre sipërmarrës.

 

PROGRAMI

Ai do të zhvillohet në datat 5-6-7 Dhjetor 2022 në Tiranë, nga ora 10:00 deri në orën 16:00*.

Gjatë tij do të trajtohen çështje si:
• Ekonomia Sociale dhe Sipërmarrja Sociale;
• Modeli i Biznesit të Sipërmarrjes Sociale;
• Modeli i zgjidhjes së problemit;
• Modeli i idesë së biznesit; etj.

Metodologjia që do të ndiqet është zhvilluar si pjesë e aktiviteteve të projektit WB SEA.

 

PROCESI I APLIKIMIT

Të gjithë personat që kanë interes për të marrë pjesë në aktivitet, duhet të shprehin interesin e tyre nëpërmjet dërgimit të një email-i në amustafa@partnersalbania.org brenda datës 2 Dhjetor 2022, duke specifikuar emrin dhe mbiemrin, moshën, qytetin, si dhe një informacion të shkurtër rreth vetes. Numri i pjesëmarrësve është i kufizuar, për pasojë do të përzgjidhen personat që aplikojnë më herët.

Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të njoftohen me email brenda datës 4 dhjetor, në lidhje me vendin e organizimit dhe agjendën e detajuar të aktivitetit.

* Për pjesemarrësit që udhëtojnë nga qytetet e tjera për në Tiranë, do të ofrohet rimbursimi i shpenzimeve të transportit, kundrejt paraqitjes së biletës së transportit publik. Programi ka të përfshirë edhe pushimin e drekës.

 


Trajnimi zhvillohet në kuadër të projektit “Western Balkans Youth Social Economy Alliance (WB SEA)” dhe është aktiviteti i tretë i WB SEA Lab, në vijim të dy trajnimeve të zhvilluara më herët në të cilët të rinjtë lehtësues të Ekonomisë Sociale (ES) u pajisën me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të punuar në nivel vendor me të rinjtë e komunitetit për ta konsideruar ES-në si një prej mjeteve që ata kanë në dispozicion për të iniciuar ndryshimin në këtë komunitet, si dhe për të arritur integrimin social dhe ekonomik të tij.

Projekti WB SEA ka si synim krijimin e një mjedisi të favorshëm për përfshirjen e Ekonomisë Sociale në politikat rinore dhe praktikat e punës së të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke ndikuar në rritjen e ndërveprimit dhe bashkëpunimit. WB SEA është ndër të paktët rrjete që kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile për të promovuar, advokuar dhe përdorur ekonominë sociale si një prej instrumenteve më efetkivë në angazhimin, fuqizimin dhe krijimin e mundësive për të rinjtë e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Konsorciumi udhëhiqet nga ADP-Zid (Mali i Zi), në bashkëpunim me Diesis Network (Beligjikë), Partnerët Shqipëri (Shqipëri), CDP Globus (Bosnjë Herzegovinë), COSV (Itali), Lens (Kosovë), Arno (Maqedonia e Veriut) dhe Young Ambassadors (Serbi). Projekti WB SEA është një projekt i financuar nga programi Erasmus + i Bashkimit Evropian.