Shpallen fituesit e Çmimit të Filantropisë 2015

Partnerët Shqipëri akordoi çmimet e vitit në Filantropi më datë 4 dhjetor, në mjediset e hotel Rogner në Tiranë. Çmimi i Filantropisë është një çmim në nivel mbarë kombëtar, që vlerëson dhe shpreh mirënjohjen e falenderimin për individët e bizneset që kontribuojnë për përmirësimin e cilësisë së jetës në vend.
Çmimi për Kontribut në Nivel Kombëtar iu akordua Alpha Bank Albania, me motivacion: Për mbështetjen e vazhdueshme në fushën e shëndetësisë, edukimit, mjedisit, artit dhe kulturës e veçanërisht për kontributin në nismat kundër kancerit të gjirit, sigurimin e aparaturës për diagnostikimin e problemeve të mundshme të foshnjave në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”dhe rikonstruksionin e çerdhes “Zërat e Jetës” në Kamëz. Çmimi u dorëzua nga Z.Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Çmimi për Kontribut në Nivel Lokal iu akordua kompanisë Kassel, me motivacion: Për kontributin e dhënë në mbështetje të edukimit dhe mirëqënies së fëmijëve nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës dhe rinovimit të mjediseve të brendshme të çerdhes “Lulet e Jetës” në Tiranë. Çmimi u dorëzua nga Z.Aldrin Dalipi, Kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Çmimi për Kontributin si Individ iu akordua Z. Ismail Keta dhe Z. Gjetan Keta me motivacion: Për kontributin e veçantë në promovimin dhe zhvillimin e jetës sociale e sportive të komunitetit të Bulqizës nëpërmjet ngritjes së kompleksit të parë sportiv në këtë qytet, si dhe ndihmës bujare për njerëzit në nevojë. Çmimi u dorëzua nga Zj. Yesim M. Oruc, Përfaqësuese e Përhershme në detyrë e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara.
Çmimi special – Pionieri i Filantropisë iu akordua Z.Zyber Hallulli (pas vdekjes) me motivacion: Për kontributin e çmuar dhënë gjatë viteve 1914 – 1927 në mbështetje të individëve dhe familjeve tiranase në nevojë, zhvillimit të arsimit dhe ngritjes së shtëpisë së parë për fëmijët jetimë në Shqipëri “Streha Vorfnore”. Çmimi u dorëzua nga Z.Sadi Vorpsi, Prefekt i Tiranës.
Çertifikatë Mirënjohjeje iu akordua Znj. Zoje Jakaj me motivacion: Për kontributin e vazhdueshëm në ndihmë të personave dhe familjeve në nevojë, e veçanërisht për mbështetjen e arsimimit dhe integrimit të fëmijëve me nevoja të veçanta. Çmimi u dorëzua nga Zj.Ornela Bego, Manaxhere e Çështjeve të Korporatës, Telekom Albania.
Të pranishëm në ceremoni ishin përfaqësues të sektorit të biznesit, medias, organizatave vendase dhe të huaja, dhe përfaqësues të pushtetit vendor e qendror në vend.
Ceremonia

Vizitoni një galeri fotosh nga eventi. Për informacion mbi fituesit e Cmimit të Filantropisë ndër vite klikoni këtu.