Shpallen fituesit e Konkursit Kombëtar të Bizneseve të Gjelbërta 2022

Partnerët Shqipëri organizoi në datën 19 maj 2022 “Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2022”.

Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta është një aktivitet që Partnerët Shqipëri organizon prej vitit 2012, i cili synon të stimulojë e inkurajojë inovacionin për ide biznesi të gjelbërta në nivel lokal dhe të hulumtojë rolin e filantropisë në angazhimin e komuniteteve lokale për të gjeneruar ide biznesi të bazuara në shfrytëzimin e burimeve lokale, ringjalljen e traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale, duke pasur një qasje miqësore ndaj mjedisit. Përmes mbështetjes së nismave inovatore që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal, Konkursi synon të kontribuojë në mënyrë thelbësore në ndërtimin e një rajoni të begatë, konkurrues dhe të paqtë të Ballkanit, në linjë me 7 objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm të Axhendës 2030. Këtë vit, Konkursi u mundësua falë kontributit të Fondit Rockefeller Brothers, Programit Erasmus Plus të Bashkimit Evropian, Tirana Bank, One Telecommunications, dhe Credins Bank.

Konkursi mbështet ide biznesi në dy fasha kryesore sipas maturimit të idesë:

Fasha 1: Ide biznesi në fazë konceptuale

Fasha 2: Biznes në fazat e para të zhvillimit

Trembëdhjetë finalistë të përzgjedhur mes konkurrentëve nga sipërmarrje sociale, individë, biznesi i vogël në vend dhe organizata jofitimprurëse, prezantuan idetë e tyre të cilat u vlerësuan nga një juri e pavarur me ekspertë të fushës së ekonomisë, edukimit dhe zhvillimit të biznesit, e cila përzgjodhi fituese idetë e mëposhtme:

LOT 1: Ide Biznesi në Fazë Konceptuale

“Shebenik Egnatia Explorers” prezantuar nga Lytfi Alliu. Ideja konsiston në ngritjen e kampeve lëvizëse në Parkun Kombëtar Shebenik edhe në segmente të tjera të rrugës Egnatia, duke u krijuar turistëve më shumë mundësi lëvizëse edhe argëtuese.

 

 

 

“Qukapiku Lodra Edukative” prezantuar nga Ina Fasko. Ideja konsiston në ngritjen e një sipërmarrjeje e cila do t’u ofrojë konsumatorëve shqiptarë lodra edukative për fëmijë, të prodhuar nga druri i pa trajtuar me kimikate.

 

 

 

Secila nga idetë fituese nën këtë Lot do të mbështetet financiarisht deri në shumën 500,000 lekë.

 

LOT 2: Biznes në Fazat e Para të Zhvillimit

“Funky Cabins – Glamping” prezantuar nga Rizvan Kurti nën emrin e Funky Creative shpk. Ideja konsiston në ofrimin e një hoteli me 5 yje në natyrë (‘outdoor hotel’) nëpërmjet kabinave ekologjike të drurit të stilit indian me pamje xhami 360 gradë, duke eksploruar natyrën e mrekullueshme të vendit tonë.

 

 

 

“Belsh Smart City” prezantuar nga Albert Hysa (Person Fizik). Ideja konsiston në zgjerimin e aktivitetit ekzistues të ofrimit të biçikletave me qira, duke përfshirë edhe ofrimin e motorëve elektrikë “City Coco”, duke krijuar kështu një shërbim krejt të ri që do të mundësojë turistët të eksplorojnë më gjerësisht zonën.

 

 

 

Secila nga idetë fituese nën këtë Lot do të mbështetet financiarisht deri në shumën 800,000 lekë.

 

Tre prej fituesve, përkatësisht “Shebenik Egnatia Explorers”,  “Alpaca Educative Toys” dhe “Funky Cabins – Glamping” do të bëhen automatikisht pjesë e konkurrimit në nivel rajonal të Konkursit Ballkanik të Ideve të Gjelbërta 2022 i cili do të zhvillohet në shtator në Shqipëri.

 

Vizitoni një foto galeri nga ky event