Fituesi i grantit në kuadër të thirrjes së parë për aplikime të projektit C.A.U.S.E
Partnerët Shqipëri ka kënaqësinë të shpallë fituesin e grantit për Thirrjen e Parë për Projekt Propozime nën skemën e nën-grantimit të projektit C.A.U.S.E. – Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale.
Projekti “KeBuono!” Pastiçeri Sociale: Ligjshmëria, përfshirja dhe ndërgjegjësimi janë përbërësit për një shoqëri më të mirë“, zbatuar nga organizatat “Enti Kombëtar i Jozefinëve të Murialdos-ENGIM” dhe “Qendra Sociale Murialdo”, në pronën e konfiskuar nga krimi i organizuar në qytetin e Fierit, do të zhvillojë një model të ri të sipërmarrjes sociale duke i dhënë një mundësi të re personave të prekur dhe atyre që rrezikohen nga krimi i organizuar. Projekti do të kontribuojë në rritjen e përfshirjes dhe ndërgjegjësimit të komunitetit lokal në luftën ndaj krimit të organizuar dhe aktiviteteve të tij të paligjshme.
Nëpërmjet një kontrate huapërdorje midis organizatave zbatuese dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, projekti “KeBuono!” do të krijojë një model të qëndrueshëm të sipërmarrjes sociale në një pronë të konfiskuar nga krimi i organizuar, për një periudhë të paktën 5 vjeçare.
Gjatë nënshkrimit të kontratës së projektit
Projekti C.A.U.S.E. synon të krijojë një model të mirëpërdorimit të qëndrueshëm të pasurive të konfiskuara nga krimi i organizuar që janë aktualisht nën administrimin e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, nëpërmjet krijimit të sipërmarrjeve sociale nga organizatat e shoqërisë civile. Ky projekt zbatohet nga Partnerët Shqipëri, në partneritet me Project Ahead dhe Comitato Don Peppe Diana dhe financoht nga Bashkimi Europian, nëpërmjet Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.