Shpallet Raundi i Tretë i Thirrjes për Projekt Propozime – Projekti C.A.U.S.E. “Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale”
Thirrje për Projekt Propozime
Raundi i Tretë
C.A.U.S.E. – Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale
Referenca në Buxhet: Kontrata nr. 2016/372 – 430
Financuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri në kuadër të Mbështetjes për Shoqërinë Civile – Nisma Qytetare dhe Ngritja e Kapaciteteve.
Autoriteti kontraktues i nën-grantimit: Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
Afati i dorëzimit të aplikimeve:
25 Qershor 2018 ora 17:00
Thirrje për Projekt Propozime
Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim shpall Thirrjen e tretë për Projekt Propozime, në kuadër të skemës së nën-grantimit të projektit “C.A.U.S.E. – Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale”.
Projekti “C.A.U.S.E. – Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale” synon të ngrejë një model të ri-përdorimit efektiv të pronave të konfiskuara nga krimi i organizuar, duke krijuar një grup organizatash të shoqërisë civile (OJF), të afta për të menaxhuar pronat e konfiskuara nga krimi i organizuar. Ky projekt zbatohet nga Partnerët Shqipëri, në partneritet me dy organizata italiane: Project Ahead dhe Comitato Don Peppe Diana dhe financohet nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Objektivi specifik i kësaj Thirrje për Projekt Propozime është: Ripërdorimi i Qëndrueshëm i pronës së konfiskuar nga krimi i organizuar që ndodhet në qytetin e Sarandës, nëpërmjet krijimit të një sipërmarrjeje sociale nga OJF-të.
Kush mund të aplikojë?
Të gjitha organizatat e shoqërisë civile që plotësojnë kriteret e vlefshmërisë të përcaktuara në Udhëzuesin për Aplikantët dhe që kanë për objekt të aktivitetit të tyre rehabilitimin social, kulturor dhe shëndetësor të personave në nevojë, veçanërisht viktimave të krimit të organizuar, të prekurve apo personave në rrezik nga krimi dhe që kanë nevojë për mbrojtje dhe rehabilitim, si: qendra terapeutike, qendra të ri-aftësimit dhe kurimit të përdoruesve të substancave narkotike, si dhe qendra të asistencës dhe rehabilitimit të viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore.[1][2]
Fondi në dispozicion për këtë Thirrje për Projekt Propozime është: 150,000 EURO
Numri i Projekteve që do të financohen nga kjo Thirrje për Projekt Propozime: Vetëm një projekt do të mbështetet me financim nën këtë Thirrje për Projekt Propozime.
Kohëzgjatja e zbatimit të nën-grantit: Periudha e zbatimit të projektit të financuar nëpërmjet kësaj Thirrje për Projekt Propozime është: maksimumi 12 muaj.
Madhësia e Nën-Grantit: Buxheti total i projekt propozimeve (përfshi kontributin e vet aplikantit/ëve ose kontributin financiar nga palët e treta) për grant të kërkuar nëpërmjet kësaj Thirrje për Projekt Propozime duhet të jetë:
Minimumi: 100,000 EURO
Maksimumi: 150,000 EURO
Bashkëfinancimi: Aplikantët duhet të kontribuojnë me të paktën 5% të buxhetit total të projektit, si bashkëfinancim në projektin që do të financohet nëpërmjet kësaj Thirrje për Projekt Propozime.
Gjuha e Projekt popozimit: Projekt propozimet duhet të përgatiten dhe të dorëzohen në gjuhën Angleze, sipas formateve të publikuara të aplikimit.
Numri i projekt propozimeve të dorëzuara: Çdo organizatë (OJF) mund të dorëzojë vetëm një (1) projekt propozim si Aplikant dhe një (1) projekt propozim si Bashkë-Aplikant. Çdo organizatë (OJF) mund të dorëzojë deri në dy (2) projekt propozime si Bashkë-Aplikant.
Çdo projekt propozim duhet të jetë i fokusuar për t’u zbatuar vetëm në pronën e konfiskuar, që është subjekt i kësaj Thirrje për Projekt Propozime.
Procedura e aplikimit: Organizatat e interesuara për të paraqitur një Projekt Propozim për këtë thirrje duhet të plotësojnë dhe të dorëzojnë dokumentat e mëposhtme:
- Formën e Aplikimit për Grante (Shtojca A e Udhëzuesit për Aplikantët)
- Formën e Buxhetit për Projekt Propozimin (Shtojca B e Udhëzuesit për Aplikantët)
- Matricën e Kornizës Logjike (Shtojca C e Udhëzuesit për Aplikantët)
- Formën e Entitetit Ligjor të firmosur dhe vulosur (Shtojca D e Udhëzuesit për Aplikantët)
- Formën e Identifikimit Financiar të firmosur dhe vulosur nga aplikanti dhe banka ku kryhen veprimet (Shtojca E e Udhëzuesit për Aplikantët)
si dhe dokumentat mbështetës të përcaktuara në Udhëzuesin për Aplikantët.
Projekt propozimet duhet të dorëzohen ose të postohen deri më 25 qershor 2018, ora 17:00 në adresën e mëposhtme:
Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, Rruga: Sulejman Delvina, NR 18, H.8, Ap.12, Njësia Bashkiake 5, Kodi Postar 1022, Tiranë, Shqipëri
Aplikimet duhet të vendosen në një zarf të mbyllur dhe të dërgohen me postë (rekomande, shërbim korrier privat) ose dorazi (dorëzuesit do t’i jepet një vërtetim i nënshkruar dhe me datën e pranimit).
Informacion dhe mbështetje: Për më shumë informacion, lexo/shkarko Udhëzuesin për Aplikantë.
Pyetjet mund të dërgohen deri më datë 11 qershor 2018 në: grants@partnersalbania.org. Përgjigjet do të publikohen brenda datës 13 qershor në faqen zyrtare të Partnerët Shqipëri: www.partnersalbania.org.
Dy sesione informimi do të organizohen lidhur me këtë thirrje, si më poshtë:
Vendi | Data | Koha |
Europe House, Tiranë | 4 qershor | 09:30 – 10:30 |
Sesion informimi Online | 7 qershor | 11:00 – 12:30 |
Vizitë në pronën e konfiskuar, në Sarandë | 8 qershor | Për tu vendosur |
Organizatat e interesuara për të vizituar pronën e konfiskuar, duhet të shprehin interesin e tyre përmës postës elektronike në adresën grants@partnersalbania.org të paktën një ditë përpara vizitës në pronë për të mësuar më tepër në lidhje me detajet e vizitës.
Me qëllim rritjen e cilësisë së projekt propozimeve, gjatë sesioneve të informimit do të prezantohen pikat e dobëta të aplikimeve të marra në raundin e parë e të dytë të Thirrjes për Projekt Propozime. Organizatat e shoqërisë civile që kanë aplikuar me projekt propozimet e tyre gjatë raundeve të mëparshme dhe nuk kanë rezultuar fituese, janë të ftuara të marrin pjesë edhe në këtë raund të tretë të Thirrjes për Projekt Propozime.
Shënim: Organizatat e interesuara për të marrë pjesë në sesionin online duhet të shprehin interesin e tyre për pjesëmarrje përmes postës elektronike në adresën: grants@partnersalbania.org, deri në datën 31 maj 2018. Detaje në lidhje me pjesëmarrjen do t’u dërgohen me e-mail organizatave të interesuara.
[1] LIGJ Nr. 10 192, datë 3.12.2009 PËR PARANDALIMIN DHE GODITJEN E KRIMIT TË ORGANIZUAR, TRAFIKIMIT DHE KORRUPSIONIT NËPËRMJET MASAVE PARANDALUESE KUNDËR PASURISË (Ndryshuar me ligjin nr. 24/2014)
[2] VENDIM Nr. 632, datë 23.7.2010 PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË VLERËSIMIT, TË MËNYRAVE DHE TË PROCEDURAVE TË DHËNIES NË PËRDORIM E TË TJETËRSIMIT TË PASURIVE TË KONFISKUARA, NË ZBATIM TË LIGJIT NR. 10 192, DATË 3.12.2009
Udhëzuesi për Aplikantët | Shkarko |
Informacion mbi pronat | Shkarko |
Paketa e Dokumentave të Aplikimit - ZIP file | Shkarko |
Analizë mbi praktikat më të mira ndërkombëtare lidhur me ripërdorimin nga OJF-të e pronave të konfiskuara | Shkarko |
Shembuj të praktikave të përdorimit për sipërmarrje sociale të pronave të konfiskuara | Shkarko |