Shpallet thirrja për aplikime në eventin e pestë “Rrathë Dhurues Shqipëri” (Giving Circle Albania)
A keni një ide inovatore që mund të përmirësojë cilësinë e jetës së një komuniteti të caktuar por nuk keni para?
Jeni duke zbatuar një nismë konkrete në komunitet por nuk keni burime të mjaftueshme?
Kjo është mundësia e duhur për ta vënë në praktikë idenë tuaj!
Partnerët Shqipëri hap thirrjen për aplikime për të gjitha OJF-të që kanë një ide konkrete apo nismë në zbatim për të sjellë ndryshim social në një komunitet të caktuar, përmes mbështetjes edhe nga vetë komuniteti. Tre idetë më të mira do të përzgjidhen për t’u zbatuar duke fituar mbështetje financiare dhe në natyrë përmes një ankandi live i cili do të organizohet në dhjetor 2023.
Çfarë është eventi “Rrathë Dhurues”?
Rrathë Dhurues (Giving Circle) është një event që zhvillohet në 20 vende të botës, që mbledh së bashku individë të cilët përmes shembullit të tyre personal dhurojnë për kauza sociale duke treguar një ndjenjë të lartë qytetarie dhe solidariteti njerëzor. Këta individë nga fusha të ndryshme vënë në dispozicion ekspertizën, kohën dhe burimet financiare për të mbështetur projekte/kauza konkrete që sjellin ndryshime sociale në komunitete të caktuara. Përmes këtij eventi do të mundësohet mbështetja e tre nismave konkrete komunitare.
Komponentët e procesit:
1. Hapja e thirrjes për aplikime për OJF të cilat kanë një ide inovatore apo nismë në zbatim për të kontribuar apo ndikuar në komunitete të caktuara;
2. Përzgjedhja e 3 ideve më të mira të cilat synojnë sjelljen e një ndryshimi në komunitetet e targetuara;
3. Trajnimi i përfaqësuesve të ideve fituese për të realizuar një prezantim të suksesshëm gjatë eventit;
4. Prezantimi i idesë në event – çdo ide do të prezantohet dhe do t’ju përgjigjet pyetjeve të audiencës brenda 12 minutave. Mbështetësi i çdo ideje do të prezantojë qëllimin e mbështetjes dhe do të motivojë audiencën që t’i bashkohet kësaj kauze. Moderatori i eventit do të ftojë audiencën të dhurojë për secilën nga idetë e përzgjedhura. Dhurimet do të llogariten live. Shuma e synuar për secilën ide është 300,000 lekë.
5. Promovimi i ideve të financuara. Tre idetë e financuara do të promovohen gjerësisht përmes të gjitha kanaleve të komunikimit për të promovuar zbatimin dhe rezultatet e ndërhyrjeve.
Përse duhet të aplikoni?
- Mundësi për promovimin e punës / idesë suaj para një audience të gjerë dhe të zgjedhur;
- Mundësi për tërheqjen e mbështetësve të rinj dhe krijimin e partneriteteve të reja;
- Ka gjithmonë e më pak burime financiare në dispozicion për projekte komunitare;
- Bashkimi bën fuqinë! Nëse të gjithë mblidhen bashkë dhe dhurojnë pak, impakti është më i madh.
Procesi i Aplikimit
Thirrja është e hapur për të gjitha OJF-të që kanë një ide inovatore apo nismë në zbatim që ka për qëllim përmirësimin e jetës së komuniteteve të caktuara. Kandidatët e interesuar janë të ftuar të aplikojnë duke plotësuar Formën e Aplikimit dhe Deklaratën e Mbështetësit dhe ta dërgojnë me email në adresën: kkeruti@partnersalbania.org.
Afati për dërgimin e aplikimeve është data 25 tetor 2023!
Përzgjedhja
Tre idetë fituese që do të marrin pjesë në eventin “Rrathë Dhurues” do të përzgjidhen nga një juri profesionistësh, përfaqësues të sektorëve të ndryshëm. Kriteret e vlerësimit:
– Ideja/projekti duhet të zgjidhë një nevojë konkrete dhe të ketë impakt të dukshëm në një komunitet apo komunitete të caktuara;
– Ideja duhet të ketë mbështetjen e komunitetit dhe ta përfshijë atë;
– Çdo aplikant duhet të sigurojë një mbështetës kryesor si pjesë e procesit të aplikimit, që beson tek iniciativa dhe kontribuon financiarisht apo në natyrë (pavarësisht shumës);
– Iniciativat fituese duhet të angazhohen në sigurimin edhe të mbështetësve të tjerë, që duhet të jenë pjesë e eventit.
Një pasqyrë e eventeve “Rrathë Dhurues” ndër vite
Përgjatë katër eventeve Rrathë Dhurues të organizuara në Shqipëri prej vitit 2018, falë dhurimeve të individëve, biznesit dhe organizatave të shoqërisë civile, vlera prej 9,526,771 Lekë kontribuoi në mbështetje të 12 nismave komunitare në fushën e edukimit, promovimit të të drejtave të njeriut, aktivizmit rinor, sportit dhe kulturës, krijimit të hapësirave publike për moshën e tretë, duke sjellë ndryshime të qëndrueshme në komunitetet e targetuara.
Iniciativat e Mbështetura përmes Rrathë Dhurues, qershor 2023 (në zbatim)
Shërbim i specializuar për 25 fëmijë me aftësi ndryshe
Njëzet e pesë fëmijë me nevoja të veçanta do të marrin shërbime terapeutike për të zhvilluar aftësitë e jetës dhe për t’u integruar, përmes aktiviteteve të zhvilluara sipas nevojave. Nisma është ndërmarrë nga organizata Global Care Albania.
Le të shijojmë natyrën
“Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë” do të jetë një vend më tërheqës si për turistët vendas ashtu edhe për turistët e huaj, pasi të rinjtë vullnetarë do të vendosin stola dhe tavolina, tabela informuese, si dhe do të rrisin ndërgjegjësimin për mbajtjen pastër të parkut. Nisma është ndërmarrë nga Soek-In, Qendra Rinore Librazhd.
Rikonceptimi i lulishtes “Marigo Posio”
Lulishja “Marigo Posio” do të kthehet në një hapësirë rekreative të gjelbër, relaksuese, plot gjallëri, që nxit kohezionin social dhe i shërben të gjithë komunitetit, përfshirë të moshuarit e Vlorës ku ata mund të kalojnë kohën në mënyrë cilësore, duke përfshirë edhe një kënd lojrash për fëmijët duke nxitur kështu solidaritetin mes brezave. Nisma është ndërmarrë nga organizata CELIM Albania.
Eventi “Rrathë Dhurues” do të mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, dhe Rockefeller Brothers Fund.
Forma e Aplikimit | Download |
Deklarata nga Mbështetësi | Download |