Thirrje për aplikime nga organizatat e shoqërisë civile
Partnerët Shqipëri shpall thirrjen e dytë për aplikime për organizatat e shoqërisë civile të interesuara për të marrë pjesë në programin “Shoqëri civile financiarisht e qëndrueshme = Shoqëri civile aktive”.
Ky program synon të kontribuojë në qëndrueshmërinë financiare të OJF-ve që veprojnë në fushën e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe qeverisjes së mirë, respektimit të të drejtave të njeriut, rritjes së aktivizmit dhe pjesëmarrjes qytetare etj, përmes identifikimit të modeleve të reja të biznesit, në funksion të gjenerimit të të ardhurave e rritjes së pavarësisë nga burimet e zakonshme të financimit nga donatorët, për një impakt më të madh në komunitetet ku veprojnë.
Programi
Programi konsiston në zhvillimin e katër trajnimeve një-ditore, të ndërthurura me një program mentorimi individual për çdo organizatë, gjatë periudhës dhjetor 2017 – shtator 2018, për të:
- Vlerësuar dhe eksploruar mënyrat inovative lidhur me aktivitetet për gjenerimin e të ardhurave përmes ofrimit të shërbimeve / produkteve me pagesë;
- Identifikuar cilat janë mundësitë që ato kanë në dispozicion, që nuk janë eksploruar më parë ose janë shfrytëzuar pak në tregun kombëtar ose rajonal;
- Zhvilluar plane biznesi dhe strategji marketingu të produkteve dhe shërbimeve të identifikuara;
- Lehtësuar krijimin e një klime bashkëpunimi dhe partneriteti të qendrueshëm me sektorin e biznesit.
Aplikimi dhe përzgjedhja e pjesëmarrësve
Plotësoni pyetësorin në fund të këtij njoftimi, së bashku me një letër motivimi, ku qartësisht të shpjegohet interesi për të marrë pjesë në këtë program dhe planet për vënien në zbatim të njohurive të fituara.
Lutemi të dërgoni Pyetësorin e aplikimit jo më vonë se data 20 nëntor 2017 tek ehaska@partnersalbania.org ose dorazi /me postë në adresën:
Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
Rr. Sulejman Delvina, N.18, H.8, Ap. 12, Njësia Bashkiake 5, Kutia Postare 2418/1
Organizatat e përzgjedhura do të njoftohen gjatë javës së parë të muajit dhjetor.
Kalendari i takimeve informuese
Partnerët Shqipëri do të organizojë disa takime informuese ku do të prezantojë më në detaje projektin, ndërhyrjet dhe pritshmëritë konkrete të tij. Ftojmë organizatat e interesuara të ndjekin aktivitetet sipas kalendarit të mëposhtëm.
Tiranë | 27 tetor, Hotel Diplomat 1, ora 14.00 |
Berat | 30 tetor, Hotel Turizmi, ora 10.30 |
Kukës | 31 tetor, Hotel Amerika, ora 11.00 |
Sesion Informues Online | 7 nëntor, ora 10.00 (shprehni interesin për pjesëmarrje në emailin e mësipërm) |
Projekti “Shoqëri civile financiarisht e qendrueshme = Shoqëri civile aktive” zbatohet nga Partnerët Shqipëri, në kuadër të Programit “Roli mbikqyrës (Watchdog) dhe advokues i shoqërisë civile”, mbështetur nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Pyetësori i aplikimit | Shkarko |