Thirrje për kontribut

Jemi të lumtur që përpjekjet tona advokuese në nivel kombëtar, rajonal dhe global për krijimin e një mjedisi ligjor dhe praktik mundësues në konteksin e parandalimit të pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit, po japin rezultate konkrete.

Në qershor 2022, Asambleja e Task Forcës për Veprimin Financiar (FATF) ra dakord të shqyrtojë ndryshimin e Rekomandimit 8 dhe Shënimin e tij Interpretues 10. Për momentin FATF-ja po konsultohet me të gjitha palët e interesuara përpara finalizimit të ndryshimeve. Paralelisht po konsultohet edhe përditësimi i Dokumentit të Praktikës më të Mirë për të luftuar abuzimin me OJF-të.

Draft amendimi i tekstit të Rekomandimit 8 dhe Dokumenti i Praktikës më të Mirë të propozuar për konsultim pasqyron punën dhe diskutimin e Ekipit të Projektit të krijuar nga FATF-ja. Ata po përpiqen të trajtojnë problemin e mbi-rregullimit të masave parandaluese për sektorin e OJF-ve në disa vende, duke njohur ndikimin negativ që kjo mund të ketë në aktivitetet legjitime të OJF-ve.

Ky është raundi i dytë i konsultimeve, pas atij të vitit të kaluar, i cili ishte i hapur për dëshmi se si Rekomandimi 8 po prodhon pasoja të padëshiruara për OJF-të në nivel global dhe praktikat më të mira për t’i adresuar ato.

Jemi të lumtur që Kodi i Standardeve për Organizatat Jofitimprurëse në Shqipëri (https://standards4npo.al), një praktikë rreth të cilës Partnerët Shqipëri po punon, është ofruar si një praktikë më e mirë në raundin e parë të konsultimeve, për t’u veçuar si temë me interes për Dokumentin e Praktikave më të Mira.

Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë ekspertët dhe palët e interesit nga sektori i OJF-ve dhe institucioneve financiare për të ofruar propozime konkrete në tekst dhe/ apo komente. Procesi është i hapur deri më 18 gusht 2023.

Të dyja dokumentet mund të aksesohen si më poshtë:

Rishikimi i Rekomandimit 8

Dokumenti i Praktikës më të Mirë