Thirrje për OSHC të interesuara në zhvillimin e fushatave Crowdfunding
Partnerët Shqipëri prej muajit prill 2021 e në vijim, do të asistojë OSHC-të e interesuara për të rritur njohuritë dhe ekspertizën në ndërtimin e fushatave Crowdfunding për adresimin e çështjeve me rëndësi për komunitetet lokale.
Crowdfunding është një metodë efiçente për të kërkuar dhe marrë dhurime dhe mbështetje nga një varietet donatorësh. Përmes fushatave dhe platformave të tilla OSHC-të mbështeten për të rritur ndërgjegjësimin, zbatuar dhe promovuar kauzave specifike.
Gjatë viteve të fundit në mbarë botën, është rritur përdorimi i platformave Crowdfunding nga organizatat jofitimprurëse, në veçanti nga organizatat me bazë komunitare, si edhe nga sipërmarrës e individë.
Për herë të parë në Shqipëri, përmes nismës së Fondacionit Credins në bashkëpunim me Partnerët Shqipëri dhe Grant Thornton Albania, është krijuar platforma crowdfunding “Smile.al”. Platforma online “Smile.al” synon të mbështesë projekte komunitare përmes kontributit që vjen si rezultat i mobilizimit të burimeve financiare dhe jo vetëm, nga donatorë individë dhe institucionalë në vend.
Programi i trajnimit dhe asistencës që Partnerët Shqipëri organizon, do të kontribuojë në fuqizimin e kapaciteteve të OSHC-ve për gjenerimin e të ardhurave përmes crowdfunding si burime alternative të financimit, me qëllim sigurimin e qendrueshmërisë financiare.
Ky program do të konsistojë në:
- Trajnim për platformën Smile.al (prezantimi i platformës, funksionimi dhe aplikimi i ideve në të);
- Përgatitje të videove promovuese dhe materialeve të tjera prezantuese për promovimin e idesë;
- Marketing dhe promocion të idesë për tërheqjen e mbështetësve dhe sigurimin e të ardhurave;
- Asistencë individuale çdo organizate për zhvillimin e produkteve të fushatës dhe aplikimin e idesë në platfomën Smile.al por edhe në platforma të tjera.
Pse duhet të aplikoni?
- Mundësi për të rritur kapacitetet organizative në gjenerimin e të ardhurave përmes burimeve alternative të financimit;
- Mundësi e mirë për adresimin e nevojave komunitare;
- Mundësi për tërheqjen e mbështetësve të rinj dhe krijimin e partneriteteve të reja;
Aplikimi
- Thirrja është e hapur për të gjitha OSHC-të e interesuara për të zbatuar një fushatë Crowdfunding;
- Kandidatët e interesuar janë të ftuar të aplikojnë duke plotësuar formën e Aplikimit më poshtë;
- Afati për dërgimin e aplikimeve është data 16 Prill 2021. Aplikimet duhet të dërgohen në adresën partners@partnersalbania.org.
Përzgjedhja e organizatave pjesëmarrëse në program do të jetë konkuruese dhe do të bazohet në të dhënat e formularit!
Ky program zbatohet në kuadër të projektit “ACT for Standards- Ndërtimi i besimit, llogaridhënies dhe qëndrueshmërisë në organizatat e shoqërisë Civile” zbatuar nga Partnerët Shqipëri, mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Forma e Aplikimit | Shkarko |