Thirrje për sipërmarrësit e rinj – Program trajnimi dhe vizitë studimore
Shtyhet afati i aplikimit!
Partnerët Shqipëri fton sipërmarrës të rinj social, të moshës 18-30 vjeç, që kanë ngritur një sipërmarrje sociale, kanë një ide biznesi apo janë në fazën e parë të ngritjes së një sipërmarrje sociale, të marrin pjesë në programin e trajnimit “Menaxhimi i sipërmarrjeve sociale dhe matja e impaktit social” dhe në vizitën studimore në vijim të tij.
Aktiviteti konsiston në një trajnim 5-ditor ku 15 sipërmarrës të rinj socialë do të marrin njohuri për të zhvilluar dhe përmirësuar aspekte të ndryshme të sipërmarrjes së tyre sociale, si dhe për t’u dhënë zgjidhje disa prej sfidave me të cilat janë duke u përballur, për të ndërtuar një sipërmarrje sociale të qëndrueshme me një impakt të rëndësishëm social.
Trajnimi synon të prezantojë sipërmarrësit e rinj social me zhvillimet e reja të sipërmarrjes sociale dhe t’i nxisë ata drejt ndryshimit dhe përmirësimit të aktivitetit të tyre social, duke i mbështetur në secilën fazë të rrugëtimit të tyre sipërmarrës.
Në përfundim të trajnimit, secili nga pjesëmarrësit do të ketë mundësinë të marrë pjesë në 1 nga 5 vizitat studimore të organizuara në sipërmarrje sociale në Shqipëri, Slloveni, Kroaci, Maqedoni e Veriut, dhe Serbi.
Metodologjia që do të ndiqet është zhvilluar si pjesë e aktiviteteve të projektit WISEs4Youth.
PROGRAMI
I. Trajnim
Nëse jeni një sipërmarrës social i ri/ e re që keni themeluar një sipërmarrje sociale ose jeni në fazën e parë të ngritjes së një sipërmarrje sociale, po hasni vështirësitë e para, dhe dëshironi:
- Të rrisni njohuritë tuaja në menaxhimin operacional dhe financiar të sipërmarrjeve sociale;
- Të riformuloni dhe rishikoni konceptin tuaj të sipërmarrjes sociale;
- Të rifreskoni njohuritë mbi sipërmarrjen sociale për t’i parë tashmë me një perspektivë dhe kontekst tjetër;
- Të testoni apo riformuloni modelin tuaj të biznesit;
- Të informoheni mbi kuadrin ligjor për ndërmarrjet sociale në Shqipëri dhe përfitimin e statusit të ndërmarrjes sociale; dhe
- Të matni impaktin social të sipërmarrjes sociale, dhe të njiheni me mjetet e reja të marketingut për të prezantuar sipërmarrjen tuaj dhe impaktin e saj në shoqëri;
Atëherë ky është trajnimi i duhur për ju!
Trajnimi do të zhvillohet në Tiranë dhe do të jetë i shtrirë përgjatë 5 ditëve, i ndarë sipas dy temave kryesore dhe kalendarit të mëposhtëm:
MENAXHIMI I SIPËRMARRJEVE SOCIALE
DHE SIPËRMARRJEVE SOCIALE ME FOKUS INTEGRIMIN NË PUNË (WISES)”
23 Mars 2023
Sipërmarrja Sociale kundrejt Sipërmarrja klasike/tradicionale;
Target-grupi dhe përfshirja e grupeve vulnerabël;
24 Mars 2023
Modeli i Biznesit të Sipërmarrjes Sociale;
Marketingu/Promovimi/Marka
30 Mars 2023
Edukimi financiar dhe mundësitë financiare;
MENAXHIMI DHE MATJA E IMPAKTIT SOCIAL (SIMM)
31 Mars 2023
Logjika bazë SIMM – Krijimi i vlerës
Parimet kryesore të SIMM
Çështjet dhe sfidat kryesore të SIMM
Tendencat, qasjet dhe mjetet SIMM
7 Prill 2023
Hapat kryesorë në zhvillimin e strukturës/ modelit SIMM për sipërmarrjet sociale
Punë praktike (Teoria në praktikë) – Zhvillimi i modelit SIMM dhe planit të zbatimit
II. Vizitë Studimore
Në përfundim të trajnimit, secili nga pjesëmarrësit do të ketë mundësinë të marrë pjesë në 1 nga 5 vizitat studimore të organizuara në secilin nga vendet partnere të projektit Wise4Youth, duke u dhënë mundësinë të gjithë pjesëmarrësve të vizitojnë sipërmarrje sociale dhe të shkëmbejnë eksperienca me sipërmarrës social nga vendet e Ballkanit dhe më gjerë.
Programi i Vizitave Studimore:
Qershor, 2023
Vizitë studimore në Sipërmarrje Sociale në Shqipëri (3 pjesëmarrës)
Gusht, 2023
Vizitë studimore në Sipërmarrje Sociale në Serbi (3 pjesëmarrës)
Tetor, 2023
Vizitë studimore në Sipërmarrje Sociale në Kroaci (3 pjesëmarrës)
Dhjetor, 2023
Vizitë studimore në Sipërmarrje Sociale në Slloveni (3 pjesëmarrës)
Janar, 2024
Vizitë studimore në Sipërmarrje Sociale në Maqedoni e Veriut (3 pjesëmarrës)
PROCESI I APLIKIMIT
Sipërmarrësit e interesuar janë të ftuar të aplikojnë duke dërguar Formularin e aplikimit (download më poshtë), CV, si dhe dokumentin e specifikuar në formularin e aplikimit sipas rastit, në adresën esherifaj@partnersalbania.org, brenda datës 20 mars 2023.
Numri i pjesëmarrësve është i kufizuar ndaj do të përzgjidhen personat që aplikojnë më herët dhe përmbushin kriteret e përcaktuara në thirrje.
Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të njoftohen me e-mail brenda datës 21 mars, në lidhje me vendin e organizimit dhe agjendën e detajuar të trajnimit.
Për çdo pyetje apo paqartësi, mos hezitoni të kontaktoni në esherifaj@partnersalbania.org.
* Për pjesëmarrësit që udhëtojnë nga qytetet e tjera për në Tiranë, do të ofrohet rimbursimi i shpenzimeve të transportit, kundrejt paraqitjes së biletës së transportit publik. Programi ka të përfshirë edhe pushimin e drekës.
Programi zhvillohet në kuadër të projektit “WISEs4Youth për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor”(WISEs4Youth), një projekt i Erasmus + i cili synon zhvillimin e aftësive sipërmarrëse të sipërmarrësve të rinj (potencial) social në Ballkanin Perëndimor. WISEs4Youth zbatohet nga European Network of Social Integration Enterprises (ENSIE) Belgjikë, Act Group(AG) Kroaci, Sent-Slovenian Association for Mental Health (SENT) Slloveni, Initiative for Development and Cooperation (IDC) Serbi, Community Development Institute (CDI) Maqedonia e Veriut, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PSH) Shqipëri. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.
Forma e Aplikimit në Program | Shkarko |