THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI

MBËSHTETJE PËR ORGANIZATAT JOFITIMPRURËSE NË FUQIZIMIN ORGANIZATIV
DHE PËRMIRËSIMIN E TRANSPARENCËS E LLOGARIDHËNIES

 

 

THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim hap thirrjen për shprehje interesi për organizatat jofitimprurëse në Shqipëri, të interesuara për të zhvilluar sistemet e tyre të menaxhimit financiar për një menaxhim sa më efektiv dhe në përputhje me Standardet Kombëtare të Kontabilitetit.

Në vijim të punës së deritanishme për mbështetjen e organizatave jofitimprurëse në përmirësimin dhe rritjen e kapaciteteve organizative në zbatimin e praktikave mirëqeverisëse, transparente dhe llogaridhënëse, Partnerët Shqipëri do të mundesojë pajisjen me Software për Menaxhimin Financiar, “Alpha Cloud”, si dhe trajnim e asistencë teknike për përdorimin e tij.

Sistemet e kompjuterizuara të kontabilitetit janë të rëndësishme për organizatat jofitimprurëse pasi sigurojnë një menaxhim financiar efektiv dhe efikas. Një nga aspektet thelbësore të sistemeve të kompjuterizuara të kontabilitetit për organizatat jofitimprurëse është gjurmimi i shpenzimeve dhe përputhshmëria me Standardet Kombëtare të Kontabilitetit.

Përzgjedhja e Programit / Software është e nevojshme të bëhet në përputhje me aktivitetin e organizatës (numrin e transaksioneve financiare, diversitetin e burimeve të financimit dhe të donatorëve, numrin e projekteve në manaxhim, xhiron vjetore, etj).

Përdorimi i sistemeve të kompjuterizuara:
• E bën më të thjeshtë regjistrimin e transaksioneve financiare sipas qëndrave të kostove;
• Kur informacioni regjistrohet në sistem, e bën të më të lehtë gjenerimin e informacionit financiar sa herë që është e nevojshme;
• Në sistemet e kompjuterizuara informacioni ruhet për një kohë të pacaktuar;
• Të dhënat brenda sistemit të kompjuterizuar të kontabilitetit janë të sakta dhe të përditësuara;
• Një sistem kontabiliteti i kompjuterizuar do të ndihmojë gjithashtu organizatën jofitimprurëse të gjenerojë raporte financiare dhe t’i paraqesë ato tek organet rregullatore apo donatorët, sipas kërkesave specifike.

Ky program në Shqipëri zhvillohet nga Partnerët Shqipëri në kuadër të projektit “Rritja e përgjegjshmërisë, besimit të publikut dhe aftësisë për t`u përshtatur të organizatave të shoqërisë civile” mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.


PROCESI I APLIKIMIT DHE PËRZGJEDHJES SË PJESËMARRËSVE

Partnerët Shqipëri do t’u ofrojë mundësinë për të përfituar nga ky program 15 organizatave, të gatshme për punuar për përmirësimin e manaxhimit financiar dhe rritjen e kapaciteteve të tyre në këtë drejtim.

Organizatat pjesëmarrëse do të përzgjidhen përmes një procesi të hapur konkurrues, bazuar në kriteret e mëposhtme:
• Të kenë të punësuar si pjesë të stafit të tyre një menaxher/oficer finance (diplomuar në ekonomi/ financë);
• Të kenë një xhiro vjetore jo më të vogël se 10.000.000 Lekë;
• Të kenë jo më pak se dy vjet veprimtari si organizatë jofitimprurëse.

 

APLIKIMI

Të gjitha organizatat e interesuara për të përfituar nga ky program duhet të shprehin interesin e tyre duke dërguar dokumentat e mëposhtëm:
• Formulari i aplikimit i plotësuar
• Pasqyrat financiare për dy vitet e fundit
• Curriculum Vitae të menaxherit/oficerit të financës

Dokumentat duhen dërguar elektronikisht në adresën e emailit partners@partnersalbania.org brenda datës 20 nëntor 2022.

Shkarkoni më poshtë formularin e aplikimit.

Formular aplikimi në program Download