Thirrje për shprehje interesi – “ICT Youth Camp”

Partnerët Shqipëri fton të gjithë të rinjtë dhe të rejat e moshave 17-30 vjec, nxënës/e të shkollave të mesme të përgjithshme dhe profesionale, studentë/e, dhe të rinj e të reja të tjerë/a të apasionuar/a në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, të shprehin interesin e tyre për pjesëmarrje në “ICT Youth Camp”.

“ICT Youth Camp” është një program trajnimi dhe mentorimi 4-ditor që synon të rrisë njohuritë dhe aftësitë e të rinjve dhe të rejave në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), si dhe zhvillimin e një plan biznesi mbi një ide biznesi në fushën e TIK.

Përtej rritjes së njohurive teknike, programi do të ofrojë mbështetje dhe mentorim (udhëheqje, këshillim, orientim) nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë në fushën e TIK dhe zhvillimit e manaxhimit të biznesit, përgjatë zbatimit të idesë.

Gjatë një programi intensiv 4 ditor, që do të zhvillohet në muajin qershor 2016, të rinjtë dhe të rejat do të punojnë konkretisht me idetë e tyre për produkte e shërbime në fushën e TIK, për t’i zhvilluar më tej ato si dhe për hartimin e planit dhe strategjisë së biznesit. Idetë më të mira të zhvilluara gjatë kampit dhe të përzgjedhura në fund të programit nga një juri ekspertësh dhe përfaqësuesish të biznesit, do të mbështeten me asistencë të mëtejshme në vijim të projektit.

Ky program organizohet në kuadër të projektit “Innovation Hub”, i cili synon të përmirësojë situatën aktuale, përmes krijimit të një inkubatori që do t’u shërbejë të rinjve dhe të rejave inovatorë/e të krijojnë dhe zhvillojnë ide biznesi që kanë potencial dhe janë të konkurrueshme në treg.

Projekti “Innovation Hub” zbatohet nga Ministria për Inovacionin dhe Administratën Publike, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe Instituti për Kërkim dhe Zhvillim Barleti, në kuadër të Programit të Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA).

Të gjithë të interesuarit/at janë të lutur të dërgojnë elektronikisht formën e aplikimit të plotësuar si dhe një letër motivimi për pjesëmarrjen në këtë program, brenda datës 5 Qershor 2016, në kontaktet e mëposhtme:

Afati i fundit për dorëzimin e formës së aplikimit është 5 Qershor 2016!

Apliko

Aplikimi duhet të dërgohet në adresën e emailit partners@partnersalbania.org ose dorazi / postë

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim

Rruga Sulejman Delvina, N.18, H.8, Ap. 12, Njësia Bashkiake 5,
Kodi Postar 1022, Tiranë, Shqipëri,
Kutia Postare (PO Box) 2418/1
Tel. Fax 04 2254881