Thirrje për shprehje interesi për pjesëmarrje në programin “Resiliency+”
Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, hap thirrjen për shprehje interesi për organizatat e shoqërisë civile të interesuara për të marrë pjesë në programin Rritja e Adaptueshmërisë së Organizatave të Shoqërisë Civile në Ndryshimet e Hapësirës Qytetare” (Resiliency+).
“Adaptueshmëria Organizative” (Resiliency+) është zhvilluar nga PartnersGlobal, në bashkëpunim me CIVICUS.
Resiliency+ filloi të zbatohet dy vjet më parë në kuadër të projektit global INSPIRES[i], si pjesë e të cilit PartnersGlobal ka pilotuar Kornizën dhe Procesin e Resiliency+ në një sërë vendesh si Serbia, Gjeorgjia, Senegali, Tanzania, Nigeria, Kenia, Ekuadori etj. për të forcuar qëndrueshmërinë e organizatave të shoqërisë civile.
Partnerët Shqipëri, si pjesë e ekipit të ekspertëve të PartnersGlobal ka mentoruar dhe asistuar në procesin e adaptueshmërisë organizative disa organizata në nivel ndërkombëtar. Tashmë po e sjellim këtë përvojë edhe në Shqipëri, për të kontribuar në fuqizimin e OSHC-ve dhe rritjen e adaptueshmërisë e qendrueshmërisë së tyre.
Programi në Shqipëri zhvillohet nga Partnerët Shqipëri në kuadër të projektit “Rritja e përgjegjshmërisë, besimit të publikut dhe aftësisë për t`u përshtatur të organizatave të shoqërisë civile” mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
QËLLIMI I PROGRAMIT
Programi “Rritja e Adaptueshmërisë së Organizatave të Shoqërisë Civile në Ndryshimet e Hapësirës Qytetare” (Resiliency+) synon t’i udhëheqë organizatat që do të jenë pjesë e tij, për një periudhë rreth 8 mujore, në një analizë dhe vlerësim të strukturuar, për të rritur qëndrueshmërinë e tyre organizative.
Organizatat pjesëmarrëse në program, do të kenë një kuptim më të mirë të vulnerabilitetit të brendshëm organizativ dhe do të jenë në gjendje të identifikojnë dhe përballojnë sfidat e mundshme të jashtme, që pengojnë rritjen organizative dhe ulin qendrueshmërinë.
Nën drejtimin dhe lehtësimin e ekspertëve të Programit, organizatat do të zhvillojnë një proces analize, prioritizimi të sfidave kryesore për adaptueshmërinë organizative dhe do të mbështeten me asistencë për të rritur adaptueshmërinë kundrejt sfidave që janë përcaktuar si më kritike.
SI TË BËHENI PJESË E PROGRAMIT
Partnerët Shqipëri inkurajon të gjitha organizatat jofitimprurëse, pavarësisht fokusit të tyre të punës, vendndodhjes (urbane/rurale), dhe strukturës (të mëdha apo të vogla) të shprehin interesin për të qenë pjesë e programit.
Partnerët Shqipëri do të përgjedhin 3 organizata jofitimprurëse për të qenë pjesë e programit pilot Resiliency+ për vitin 2022. Organizatat e përgjedhura duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
- Duhet të kenë të paktën dy vjet që janë krijuar dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre, pasi Procesi kërkon një nivel të caktuar të zhvillimit të përgjithshëm organizativ.
- Duhet të tregojnë përkushtimin e duhur bndaj procesit – drejtuesit dhe stafi (ose një pjesë e tij) duhet të dedikojnë kohën e nevojshme në këtë proces analize, mentorimi, dhe fuqizimi organizativ.
- Të jenë të gatshme dhe të tregojnë vullnetin e duhur për të analizuar faktorët organizativë që ndikojnë në punën e tyre të përditshme, kufizimet dhe aksesin në financime, fragmentarizimin dhe izolimin e sektorit dhe mjedisin ligjor e rregullator kompleks.
Të gjitha aplikimet do të shqyrtohen bazuar në kriteret e mësipërme, e në vijim organizatat që do të përzgjidhen, do të intervistohen në mënyrë që të japin informacion më të plotë dhe specifik rreth çështjeve në formularin e tyre të aplikimit. Procesi i përzgjedhjes parashikohet të zgjasë rreth tre javë.
Organizatat e interesuara mund të shprehin interesin e tyre, duke plotësuar Formularin e Aplikimit dhe duke e dërguar atë në adresën e emailit partners@partnersalbania.org.
Afati i Aplikimit: Afati i fundit për dërgimin e formularit të aplikimit është data 18 maj 2022!
INFORMACION RRETH RESILIENCY+
Pavarësisht rolit të rëndësishëm të organizatave jofitimprurëse dhe grupeve të qytetarëve aktivë në zhvillimin e qendrueshëm dhe të përgjegjshëm, ato shpesh ndeshin vështirësi në tejkalimin e sfidave të shumta në mjedisin ku veprojnë. Sfida të tilla burojnë nga shkaqe të ndryshme dhe përfshijnë faktorë politikë, ligjorë, ekonomikë, faktorë mjedisorë si në rastin e fatkeqësive natyrore etj. Pavarësisht shkaqeve, mbetet fakt që mjedisi në të cilin veprojnë OSHC-të është në ndryshim të vazhdueshëm. Organizatat kanë nevojë për mjete dhe mekanizma të rinj për të kuptuar dhe manaxhuar këto ndryshime në interes të qendrueshmërisë financiare, sociale dhe mjedisore.
Ndërsa mjedisi i veprimtarisë së OSHC-ve është shumë dinamik dhe ndryshon globalisht, sektori i shoqërisë civile është i detyruar të rimendojë modelet tradicionale të zhvillimit organizativ, kryesisht të orientuar drejt aftësisë për të manaxhuar me sukses veprimtarinë e tyre dhe të fokusohet jo vetëm në arritjen e ekuilibrit, por në atë që nevojitet për të përballur apo anashkaluar vështirësitë, sfidat dhe të papriturat përgjatë udhës drejt ekuilibrit të dëshiruar.
Adaptueshmëria organizative i mundëson shoqërisë civile të përshtatet ndaj ndikimit të ndryshimeve të shpejta të mjedisit të jashtëm, në mënyrë që të përgatitet dhe të përgjigjet në mënyrë efektive.
Korniza dhe Procesi Resiliency+ lindi nga nevoja për një model të ri organizativ. I pari në llojin e tij, ai ofron një të kuptuar gjithëpërfshirës të mënyrës se si organizatat dhe aktorët e shoqërisë civile veprojnë, përshtaten dhe zhvillohen në përgjigje të ndryshimeve shumëfaktorialë dhe shumëdimensionale.
Duke u bazuar në studime dhe raporte, si dhe intervista apo të dhëna nga kolegë e ekspertë të fushës në organizata partnere, Procesi Resiliency+ i ndihmon OSHC-të të identifikojnë kërcënimet e jashtme dhe vulnerabilitetin e brendshëm që i pengon të adaptohen dhe zhvillojnë veprimtarinë e tyre. Duke përdorur këtë informacion, Procesi Resiliency+ më pas propozon një serë strategjish, taktikash, mjetesh dhe asistence “peer-to peer” mes kolegësh, për të ndihmuar OSHC-të të arrijnë shtatë nxitësit kryesorë të nevojshëm për t’u përshtatur shpejt me dinamikat dhe hapësirat në ndryshim (shih figurën në të djathtë).
Procesi kalon në disa faza:
FAZA PARË: KUPTIMI I EKOSISTEMIT
Duke u bazuar në hartëzimin e sistemeve dhe analizën politike-ekonomike, mentorët do t’i udhëzojnë organizatat përmes analizës së “ekosistemeve të hapësirës qytetare dhe mjedisit operues” të tyre, për të kuptuar më mirë kontekstin në të cilin ato veprojnë, si dhe sjelljet dhe marrëdhëniet që shfaqen dhe ndërveprojnë midis faktorëve dhe aktorëve të ndryshëm që përcaktojnë dhe mënyrën se si është strukturuar konteksti.
FAZA E DYTË: VLERËSIMI I ADAPTUESHMËRISË ORGANIZATIVE
OSHC-të e përzgjedhura nëpërmjet kësaj thirrjeje për shprehje interesi, do të udhëzohen në përdorimin e një mjeti vetë-diagnostikues krijuar posaçërisht për këtë proces të quajtur “Vlerësimi i Adaptueshmërisë Organizative në Ndryshimin e Hapësirës Qytetare” (ROCCS), i cili analizon praninë e sfidave dhe kapacitetet organizative.
FAZA E TRETË: ZHVILLIMI I NJË UDHËRRËFYESI TË ADAPTUESHMËRISË ORGANIZATIVE
Me ndihmën e analizës, OSHC-të do të udhëhiqen përmes një procesi për hartimin e një ndërhyrjeje të personalizuar duke përdorur matricën e Resiliency+ (adaptueshmëria organizative), e cila përbëhet nga strategji, mjete, taktika dhe qasje që lidhen me sfida dhe faktorë të ndryshëm, e që synojnë të rrisin adaptueshmërinë e OSHC-ve.
FAZA KATËRT: TË MËSUARIT DHE PËRSHTATJA ME KUSHTET E REJA
Gjatë zbatimit të ndërhyrjes së personalizuar, organizatat do të reflektojnë për të përcaktuar nëse udhërrëfyesi i dizenjuar është ende i përshtatshëm dhe efektiv për rritjen e adaptueshmërisë organizative bazuar në rrethanat dhe mjedisin në të cilin organizata ushtron veprimtarinë e saj, e nëse jo, do të ndryshojnë drejtim.
[i] INSPIRES zbatohet nga një konsorcium shtatë anëtarësh i udhëhequr nga Internews në partneritet me PartnersGlobal, CIVICUS, Qendrën Ndërkombëtare për Ligjin Jofitimprurës (ICNL), DevLab @Duke, Rezultatet për Zhvillim (R4D) dhe Rrjeti ZINC, me mbështetjen financiare të USAID.
Formular Aplikimi në program | Shkarko |