THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI PËR PJESËMARRJE – PROGRAM TRAJNIMI DHE MENTORIMI NË “ADVOKASI DHE LOBIM”
Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim hap thirrjen për shprehje interesi për OJF, rrjete dhe grupe informale të interesuara për të zhilluar kapacitetet e tyre në lidhje me ndërmarrjen e nismave advokuese dhe lobuese në nivel vendor e qendror.
Ky do të jetë një program intensiv trajnimi dhe mentorimi i cili do të organizohet gjatë muajve korrik – nëntor 2023, në Tiranë.
Programi i Trajnimit do të organizohet në 3 module dy ditore, ndërkohë që në vijim, pjesëmarrësit do të mentorohen individualisht për realizimin e iniciativave të tyre advokuese.
Ky program vjen në vijimësi të punës sonë të gjatë në përkrahje të zhvillimit, qëndrueshmërisë dhe përfshirjes së OJF-ve në proceset politikëbërëse dhe vendimarrëse.
Advokacia dhe pjesëmarrja në këto procese janë thelbësore për angazhimin e shoqërisë civile në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe adresimin e nevojave të tyre tek institucionet në nivel vendor e qendror.
QËLLIMI I PROGRAMIT
Qëllimi i këtij programi është të rrisë kapacitetet e shoqërisë civile në fushën e advokacisë dhe rolin e tyre mbikëqyrës. Programi do të prezantojë njohuri, metoda dhe mjete novatore për t’i ardhur në ndihmë pjesëmarrësve në adresimin e çështjeve që mbeten sfiduese në punën e tyre dhe në hartimin e zbatimin e fushatave advokuese efektive në mbrojtje të interesave të grupeve të ndryshme shoqërore.
PROGRAMI
Programi do të organizohet gjatë muajve korrik – nëntor 2023, në Tiranë, organizuar si më poshtë vijon:
Korrik – Shtator 2023
Zhvillimi i 3 (tre) moduleve dy ditore të trajnimit në çështje si më poshtë:
- Advokasia Bazuar në Evidenca
- Advokasia Kooperuese
- Advokasia Digjitale
Shtator – Nëntor 2023
Seanca individuale mentorimi për të gjithë pjesëmarrësit në Program, lidhur me hartimin dhe zbatimin e fushatave të tyre advokuese.
PROCESI I APLIKIMIT
Të gjithë kandidatët e interesuar për të marrë pjesë në program mund të dërgojnë shprehjen e interesit duke plotësuar formularin e aplikimit dhe dërguar me email në adresën mselamaj@partnersalbania.org, brenda datës 5 korrik 2023.
Programi zhvillohet në kuadër të projektit “Për një shoqëri civile më të fuqizuar, të adaptueshme dhe të qendrueshme” mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Formulari i Aplikimit në Programin e Trajnimit dhe Mentorimit ne Advokaci dhe Lobim | Shkarko |