THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI: PROGRAMI I SHKËMBIMIT TË OJF-VE 2025

Partnerët Shqipëri hap thirrjen e pestë për shprehje interesi për organizatat jofitimprurëse të interesuara të marrin pjesë në “Programin e Shkëmbimit të OJF-ve”, i cili vjen në vijim të punës disa vjeçare në mbështetje të fuqizimit të sektorit të OJF-ve, në ndërtimin e dialogut ndërsektorial për përfshirjen e OJF-ve në politikëbërje dhe procese vendimmarrëse.

Programi kontribuon në rritjen e kapaciteteve të organizatave të reja, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qytete të ndryshme në mbarë vendin, duke mundësuar rritjen e aksesit në informacion dhe bashkëpunimin me organizata të tjera dhe institucione të rëndësishme në vend.

Programi është një kombinim i vizitave në organizata, institucione publike dhe private, sesioneve të diskutimit me ekspertë të fushave të ndryshme, si dhe seancave të mentorimit për vënien në praktikë të njohurive të fituara.

Që prej vitit 2023, programi është ndjekur nga 52 përfaqësues të OJF-ve të reja dhe ekzistuese, të cilat kanë selinë dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në 18 qytete të vendit. Për më shumë informacion mbi impaktin e programit, lexoni Broshurën Informuese.

Programi zbatohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shoqërisë Civile për një Ndikim më të Madh në Politikëbërje” mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

 

 Qëllimi dhe objektivat e programit

“Programi i Shkëmbimit të OJF-ve” kotribuon në fuqizimin e kapaciteteve të sektorit, rritjen e aksesit dhe bashkëpunimit ndërmjet OJF-ve dhe institucioneve publike/private në procesin e hartimit dhe zbatimit të nismave advokuese në vend, me qëllim adresimin e nevojave të grupeve të interesit të cilave ju shërbejnë. Ai adreson hendekun e aksesit dhe pjesëmarrjes, që organizatat ndeshin me institucionet politikëbërëse dhe vendimmarrëse si në nivel vendor dhe mbi të gjitha në nivel qendror.

Programi kontribuon në:

  • rritjen e njohurive mbi rëndësinë e zhvillimit dhe qendrueshmërisë organizative si një mënyrë efektive për të adresuar çështjet në fokus;
  • njohjen dhe ekspozimin më të madh ndaj proceseve vendimmarrëse dhe ciklit të politikëbërjes në nivel qendror;
  • rritjen e aksesit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërsektorial;
  • fuqizimin e rrjetëzimit dhe partneritetit me OJF të tjera.

 

Aktivitetet dhe pritshmëritë nga programi 

Programi është një kombinim i sesioneve të diskutimit me ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve, si dhe vizitave në institucione publike, private dhe OJF partnere. Gjithashtu, OJF-të e përzgjedhura në program priten të zbatojnë njohuritë e fituara në nismat e tyre lokale.

 

Aktivitetet e planifikuara nga Partnerët Shqipëri do të jenë:

  • 4 (katër) sesione diskutimi me ekspertë rreth çështjeve të zhvillimit dhe qendrueshmërisë organizative;
  • 12 (dymbëdhjetë) vizita në institucione publike, private dhe organizata jofitimprurëse. Qëllimi i vizitave është ekspozimi ndaj praktikave më të mira të përfshirjes në procese me pjesëmarrje dhe rritja e sinergjisë dhe bashkëpunimit ndërsektorial.

 

Kalendari i takimeve

Programi do të organizohet gjatë datave muajit mars 2025!

Pritshmëritë nga programi 

  • Pjesëmarrësit duhet të plotësojnë autorizimin për përdorimin e të dhënave personale dhe fotografive;
  • Pjesëmarrësit duhet të plotësojnë formën e vlerësimit në përfundim të vizitës së shkëmbimit;
  • Pjesëmarrësit priten të ndajnë përfitimet e tyre nga programi me një videomesazh;
  • Pjesëmarrje aktive në forume diskutimi dhe forume online të krijuara mbi Programin e Shkëmbimit të OJF-ve.

 

Kriteret për të qenë pjesëmarrës në program 

“Programi i Shkëmbimit të OJF-ve” është i hapur kryesisht për punonjës të OJF-ve të reja, të cilat kanë selinë dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre jashtë Tiranës, dhe plotësojnë kriteret e mëposhtme:

  • Të jenë shtetas Shqiptar;
  • Të jenë të moshës 23 – 40 vjeç;
  • Te jenë punonjës me kohë të plotë dhe të kenë rol manaxherial në organizatë;
  • Të jenë të përkushtuar dhe angazhuar që të ndjekin të plotë programin e shkëmbimit;
  • Të jenë të përkushtuar për të vënë në zbatim njohuritë e fituara nga programi.

Parimi i pranimit në program: Kush aplikon i pari, shërbehet i pari!

 

Kushtet dhe procesi i aplikimit

Për pjesëmarrësit që do të përzgjidhen të marrin pjesë në raundin e pestë të “Programit të Shkëmbimit të OJF-ve” do të mbulohen të gjitha kostot e pjesëmarrjes (akomodimi, shpenzime udhëtimi, ushqimi).

Organizata dhe pjesëmarrësit e interesuar duhet të plotësojnë elektronikisht formularin së bashku me dokumentat mbështetëse në linkun: https://forms.gle/pLLdRazyS51DubM16

Afati i fundit i aplikimit është data 5 shkurt 2025!


Sesione informimi

Për të orientuar organizatat dhe pjesëmarrësit e interesuar për të aplikuar, Partnerët Shqipëri do të organizojë sesione informimi lidhur me programin dhe kriteret e aplikimit. Sesionet do të organizohen sipas kalendarit të mëposhtëm:

Data Vendi Ora
17.01.2025 Shkodër, Hotel Rozafa 10:00 – 12:00
22.01.2025 Elbasan, Hotel Real Scampis 10:00 – 12:00
31.01.2025 Vlorë,
Hotel Partner
10:00 – 12:00

 

Çdo pyetje në lidhje me Programin mund të dërgohet në adresën e email-it:  erexhepi@partnersalbania.org

 

Ju mirëpresim!