Thirrje për shprehje interesi – OJF më të Fuqishme për Transparencë në Shëndetësi

Partnerët Shqipëri nis këtë vit me një nismë të re të titulluar OJF më të Fuqishme për Transparencë në Shëndetësi. Nëpërmjet kësaj nisme, PSH do të fuqizojë organizatat që punojnë në fushën e shëndetësisë për të rritur rolin dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në rritjen e transparencës dhe uljen e praktikave korruptive në sistemin shëndetësor. Për më tepër, projekti do të fuqizojë OJF-të të rrisin rolin e tyre mbikqyrës për të kontribuar në zbatimin efektiv të kuadrit ligjor dhe praktikave që nxisin më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri nga institucionet shëndetësore, nëpërmjet një përqasjeje bashkëpunuese me institucionet e pavarura mbikqyrëse si Avokati i Popullit (AP), Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), dhe mekanizmat e tjerë që garantojnë zbatimin efektiv të kuadrit ligjor për transparencën dhe antikorrupsionin.

 

PANORAMË E PËRGJITHSHME

Shqipëria mbetet e cënueshme ndaj korrupsionit për shkak të ndërhyrjes së politikës dhe mungesës së plotë të pavarësisë së institucioneve mbikqyrëse, sic theksohet në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për Shqipërinë, Transparency International 2016. Shumë shqiptarë janë ndeshur me korrupsionin në ndërveprimet e tyre  në sistemin shëndetësor, ku pacientët pritet që të paguajnë doktorët për të marrë shërbime cilësore shëndetësore. Vëzhgimet e Transparency International tregojnë se 80% e shqiptarëve besojnë se pagesat informale janë të nevojshme për të marrë shërbim shëndetësor cilësor në institucionet publike.

Organizatat që punojnë në sistemin shëndetësor, përballen me shumë sfida që pengojnë efektivitetin e tyre në nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave të përfituesve të tyre. Ato kanë kapacitete të dobëta organizative, njerëzore dhe institucionale, kanë mungesë eksperience për të ndikuar vendim-marrjen dhe politikë-bërjen në sistemin shëndetësor, kanë mungesë informacioni mbi mënyrën se si funksionon sistemi, kanë rrjetëzim dhe bashkëpunim të ulët me njëra-tjetrën, si dhe mungesë të modeleve dhe praktikave më të mira në përpjekjet e tyre për të rritur transparencën dhe luftuar korrupsionin në sistemin shëndetësor. Vërehet gjithashtu, se këto organizata nuk kanë qenë të afta të zhvillojnë ura komunikimi efektive dhe marrëdhënie frytdhënëse me institucionet shtetërore që shërbejnë si struktura të pavarura mbikqyrëse në luftën kundër korrupsionit si AP, KLSH dhe ILDKPKI.

 

PROGRAMI

Partnerët Shqipëri do të punojë më një grup prej 15 organizatash, ku do të përfshihen organizata pacientësh, organizata që punojnë në fuqizimin e sistemit shëndetësor dhe organizata që kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe luftojnë korrupsionin, kryesisht në shtatë (7) rajone të Shqipërisë, si: Kukës, Fier, Berat, Pogradec, Dropull, Sarandë dhe Shkodër. Organizatat do të trainohen, mbështeten dhe lehtësohen nga ekspertët përgjatë një periudhë një-vjeçare për të përgatitur plane avokatësie që synon ndërveprimin e aktorëve kryesorë në komunitetet e synuara, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe njohurive rreth sistemit shëndetësor. Projekti përfshin disa aktivitete kryesore si më poshtë:

  • Një Tryezë e Rrumbullakët Kombëtare me organizatat që do të bëhen pjesë e iniciativës, strukturat mbikqyerëse si AP, KLSH, ILDKPKI, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, dhe aktorë të tjerë të sistemit shëndetësor. Tryeza e Rrumbullakët do të organizohet gjatë muajit Shkurt 2018.
  • Tre trainime dy-ditore për organizatat pjesëmarrëse, që do të fokusohen në organizimin e fushatave të ndërgjegjësimit dhe mobilizimit të komunitetit; teknikat anti-korrupsion, kuadri ligjor dhe mekanizmat ekzistues për rritjen e transparencës dhe reduktimin e korrupsionit; avokatësi dhe lobim. Trainimet do të organizohen gjatë periudhës prill – korrik 2018, në Tiranë dhe të gjitha kostot e pjesëmarrësve (transport, akomodim dhe ushqim) do të mbulohen nga programi.
  • Asistencë dhe mentorim për të zhvilluar planet e veprimit të avokatësisë me organizatat pjesëmarrëse nëpërmjet sesioneve on-line në periudhën shtator – nëntor 2018.

 

APLIKIMI DHE PËRZGJEDHJA E PJESËMARRËSVE

PSH fton të gjitha organizatat e interesuara nga sektorët dhe rajonet e sipërpërmendur të dërgojnë një Shprehje Interesi për të marrë pjesë në program. Shprehja e Interesit duhet të përfshijë: 

  • Një CV të shkurtër të organizatës që tregon misionin, fushën e veprimit, aktivitetet kryesore dhe zonën gjeografike ku është e lokalizuar dhe vepron organizata (max. një faqe);
  • Emrin dhe pozicionin e përfaqësuesit të organizatës që do të marrë pjesë në program;
  • Motivimin e organizatës për pjesëmarrje në program.

Shprehja e Interesit duhet të dërgohet me e-mail drejtuar Klotilda Tavani Kosta, Drejtore e Programeve, në adresën: ktavani@partnersalbania.org, jo më vonë se 5 Shkurt 2018.

Organizatat e përzgjedhura do të njoftohen jo më vonë se 12 Shkurt 2018 dhe do të pajisen më informacion të detajuar mbi programin dhe pjesëmarrjen e tyre.

-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-.-

“OJF më të Fuqishme për Transparencë në Shëndetësi” mbështetet financiarisht nga projekti “Transparenca në Sistemin Shëndetësor”, që mundësohet nga mbështetja e Popullit Amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi vetëm e Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe nuk reflekton detyrimisht pikëpamjet e USAID apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Për më shumë informacion rreth programit të Granteve të Projektit “Transparenca në Sistemin Shëndetësor” klikoni këtu.