THIRRJE PËR TRAJNIM – “SIPËRMARRJA SOCIALE SI PRAKTIKË E RIPËRDORIMIT SOCIAL TË ASETEVE TË KONFISKUARA” (RAUNDI I PARË)

*Shtyhet afati i aplikimit

 

Thirrja i drejtohet stafit përgjegjës për Shërbimet Sociale të Bashkive dhe Organizatave të Shoqërisë Civile që veprojnë në bashkitë:

Belsh, Devoll, Durrës, Elbasan, Gramsh, Kamëz, Kavajë, Kolonjë, Korçë, Kukës, Librazhd, Maliq, Peqin, Vorë, Pogradec, Prrenjas, Pustec, Shijak, Tiranë.

Dy raunde të tjera trajnimesh do të organizohen në muajt në vijim për rajonin e jugut dhe të veriut, në të cilat do të ftohen të marrin pjesë të gjitha bashkitë e tjera të vendit dhe organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në to.

Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë të merrni pjesë në Trajnimin “Sipërmarrja Sociale si Praktikë e Ripërdorimit Social të Aseteve të Konfiskuara”, organizuar në kuadër të projektit TWIST të zbatuar nga Libera. Associazioni, nomi e numeri contro le mafiePartnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe Bashkia e Tiranës.

Projekti synon të kontribuojë në forcimin e sipërmarrjes sociale si një praktikë potenciale për rritjen e ripërdorimit social të aseteve të konfiskuara nga krimi i organizuar, dhe si një model efektiv i biznesit social gjithëpërfshirës për të ofruar shërbime, aftësim, punësim dhe për të mbështetur grupet vulnerabël, si viktimat e krimit të organizuar dhe dhunës në familje, të miturit, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuar, të papunët, personat e varur nga substancat narkotike, ish të dënuarit, etj.

Në këtë drejtim, projekti TWIST do të mbështesë financiarisht 13 sipërmarrje sociale, disa prej tyre në asete të konfiskuara, përmes një skeme nën-grantimi për projekt propozime drejtuar organizatave të shoqërisë civile shqiptare, në bashkëpunim me bashkitë.

Trajnimi përbën një mundësi të rëndësishme për të thelluar njohuritë mbi temat kryesore të ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara dhe gjithashtu për të hartuar së bashku me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë një projekt pilot.

Për më tepër, gjatë trainimit do të keni mundësinë të takoni organizata të tjera të shoqërisë civile dhe bashki të zonës suaj gjeografike dhe do të përforconi partneritetet tuaja.

Trajnimi për organizatat dhe bashkitë e sipërpërmendura, do të organizohet si më poshtë: 

 

MODULET DATA ORA VENDI EKSPERTET
MODULI 1:
Analiza e nevojave territoriale.
8 qershor 10:00-14:00 Tiranë Ekspertë shqiptarë
MODULI 2:
Sipërmarrja sociale: një praktikë e ripërdorimit social të një pasurie të konfiskuar duke përmirësuar menaxhimin e sipërmarrjeve sociale nga përvoja italiane në atë shqiptare.
9 qershor 10:00-14:00 Tiranë Ekspertë shqiptarë
MODULI 3:
Ripërdorimi social i pronave të konfiskuara: një praktikë e mirë për të forcuar zhvillimin e komunitetit nëpërmjet zbatimit të shërbimeve në nivel lokal.
21 qershor 10:00-14:00 Tiranë Ekspertë italianë
MODULI 4:
Hartimi i një projekti pilot: aspektet financiare dhe praktike për t’u përfshirë në përpunimin e një plani të menaxhimit të sipërmarrjes sociale në një pronë të konfiskuar.
22 qershor 10:00-14:00 Tiranë Ekspertë italianë
MODULI 5:
Bashkëpunimi strategjik ndërmjet sipërmarrjeve sociale, OSHC-ve dhe autoriteteve vendore/kombëtare për të përmirësuar ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara.
27 qershor 10:00-14:00 Online Ekspertë italianë

Për modulet e ofruara nga ekspertët italianë do të ofrohet shërbimi i përkthimit nga italishtja në shqip (dhe anasjelltas).

Për të marrë pjesë në trainim, ju lutemi plotësoni këtë formular, brenda datës 3 qershor 2022https://docs.google.com/forms/d/1a3D04CCFJoHE8kHENUsrdFC_YUjkYhsYd3d2PX97uO4/edit

 

Pjesëmarrja është e hapur për jo më shumë se dy (2) persona nga cdo bashki dhe organizatë. Pritet që pjesëmarrësit të ndjekin të gjitha modulet e trainimit. Në fund të trajnimit pjesëmarrësit do të pajisen me një certifikatë pjesëmarrjeje.

Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të marrin programin e detajuar dhe të gjitha të dhënat e tjera logjistike për sa i përket zhvillimit të trainimit.

Për pyetje apo më shumë informacion mbi projektin kontaktoni me email: twistproject.info@gmail.com