Ura Bashkëpunimi: Shoqëria Civile dhe Sektori Publik për një Shoqëri Civile të Qendrueshme – programi në një vit

Që prej dhjetorit 2018, Partnerët Shqipëri po zbaton projektin “Ura Bashkëpunimi: Shoqëria Civile dhe Sektori Publik për një Shoqëri Civile të Qendrueshme” i cili ka si qëllim përmirësimin e klimës së bashkëpunimit ndërmjet sektorit jo-fitimprurës dhe atij publik, përmes identifikimit dhe hartimit të shërbimeve që mund të ofrohen nga OSHC-të për sektorin publik.

Në këtë kuadër, Partnerët Shqipëri përmirësoi kapacitetet e 17 organizatave përmes një serie trajnimesh, asistence teknike dhe sesionesh mentorimi. 

 

PROGRAM TRAJNIMI DHE ASISTENCE TEKNIKE

Një program intensiv prej 4 trajnimesh dhe 47 seancash individuale të mentorimit të përqendruara në Vlerësimin Organizativ mbi ofrimin e shërbimeve me pagesë, analizën e tregut, marketingun strategjik dhe zhvillimin e planit të biznesit, kontribuan në hartimin e modeleve më të përshtatshme të biznesit në lidhje me produktin/shërbimin për të ofruar për administratën publike apo bizneset.

 

PROGRAM TRAJNIMI INTENSIV

Një trajnim intensiv 3-ditor me temën “Ofrimi i Shërbimeve për Administratën Publike”, duke prezantuar para pjesëmarrësve metodologjinë dhe teknikat se si të identifikojnë shërbimet që ata mund t’i ofrojnë administratës publike, si t’i krijojnë, komunikojnë dhe ofrojnë ato dhe si t’i përcaktojnë çmimin e tyre duke krijuar një model të qendrueshëm.

 

SPEED DATING

Në vijim të iniciativave të mëparshme të suksesshme, PSH organizoi në 16 tetor, në Tiranë eventin “Prezantim i modeleve të sipërmarrjeve – Partneritet me Biznesin dhe Sektorin Publik”.  

Ky event mblodhi së bashku 35 përfaqësues të sektorit  jo-fitimprurës, publik dhe atij privat, duke shërbyer si një mundësi e mirë për OSHC-të pjesëmarrëse për krijimin e kontakteve dhe rrjetëzimin me sektorët e tjerë, për prezantimin e iniciativave sipërmarrëse dhe  eksplorimin e ndërtimit të partneriteteve me synim sigurimin e qendrueshmërisë së këtyre modeleve të biznesit.

 

VIZITË STUDIMORE NË SLLOVAKI

Një vizitë studimore 5-ditore e konceptuar si një program shkëmbimi midis mentorëve të Partnerëve Shqipëri dhe Partnerëve Sllovake, shërbeu si një mundësi për të shkëmbyer praktikat e mira dhe ekspertizën ndërmjet vendeve, me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit midis OShC-ve dhe administratës publike përsa sa i përket aksesit të fondeve publike. Këto njohuri do të transferohen përmes seancave të mentorimit të dedikuar OSHC-ve pjesëmarrëse në program, për të promovuar marrëdhënie të mira dhe partneritet të ndërsjellë në të gjithë sektorin.

 


Projekti “Ura Bashkëpunimi: Shoqëria Civile dhe Sektori Publik për një Shoqëri Civile të Qendrueshme” zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në partneritet me organizatën Partnerët për Ndryshim Demokratik Sllovaki, dhe financohet nga Slovak Aid – Asistenca Zyrtare për Zhvillim e Republikës së Sllovakisë.