Zhvillimi i ekonomisë sociale në vendet e Evropës Juglindore

Si të përshpejtohet zhvillimi i ekonomisë sociale në vendet e Evropës Juglindore? Cilat janë hapat që duhen ndërmarrë për kuptimin dhe fuqizimin e duhur të saj?

Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave mund të gjenden në dokumentin Konkluzione dhe rekomandime nga konferenca “Biznesi për të mirën e komunitetit”, së bashku me një plan të detajuar zbatimi. Në konferencën e zhvilluar në dhjetor, në Beograd, u ndanë dhe diskutuan gjetjet dhe rekomandimet e Studimit Strategjik mbi Zhvillimin e Ekonomisë Sociale në Kontekstin e Strategjisë së Evropës Juglindore 2014-2020,  zhvilluar nga Lëvizja Europiane në Serbi dhe SeCons- Development Initiative Group në 2014 dhe i përditësuar në 2015.

 

Studimi Strategjik mbi Zhvillimin e Ekonomisë Sociale në Kontekstin e Strategjisë së Evropës Juglindore 2014-2020 ofron një pamje të gjerë të situatës në sektorin e ekonomisë sociale në Europën Juglindore. Ai identifikon potencialin e ekonomisë sociale, ofron rekomandime konkrete për qeveritë e vendeve të përfshira, dhe propozon iniciativa rajonale që ndihmojnë krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e ekonomisë sociale në rajon.

Znj. Juliana Hoxha, drejtore e Partnerëve Shqipëri ishte pjesë e ekipit kërkimor rajonal dhe bashkë autore e këtij studimi, si dhe autore e kapitullit për Shqipërinë. Përmes punës kërkimore e intervistave me aktorë shtetërorë e ministri të linjës, përfaqësues të sektorit jo-fitimprurës e atij të biznesit, në këtë kapitull trajtohet situata e ekonomisë sociale në Shqipëri, kuadri ligjor e institucional, një analizë e mekanizmave mbështetës e stimujve financiarë të nevojshëm si dhe paraqiten një seri rekomandimesh e çështjesh që duhen trajtuar në mbështetje të zhvillimit të ekonomisë sociale.

Konkluzione dhe rekomandime nga konferenca “Biznesi për të mirën e komunitetit” Shkarko
Studimi Strategjik mbi Zhvillimin e Ekonomisë Sociale në Kontekstin e Strategjisë së Evropës Juglindore 2014-2020 Shkarko