Zhvillohet i pari event “Rrathë Dhurues” në Shqipëri
Partnerët Shqipëri, në vijim të nismave të saj për promovimin dhe zhvillimin e filantropisë në Shqipëri duke synuar rritjen e mbështetjes publike ndaj grupeve në nevojë, organizoi mbrëmjen e 4 dhjetorit ankandin e parë të dhurimit “LIVE” – “Rrathë Dhurues”.
Rrathë Dhurues (Giving Circle) është një event që zhvillohet në 16 vende të botës, duke mbledhur së bashku individë të cilët përmes shembullit të tyre personal dhurojnë për kauza sociale duke treguar një ndjenjë të lartë qytetare dhe solidariteti njerëzor.
Rrathë Dhurues 2018 i organizuar për herë të parë në Shqipëri, mblodhi së bashku përfaqësues të lartë të sektorit të biznesit, komunitetit të donatorëve, institucioneve diplomatike, shoqërisë civile, medias, artit etj., të cilët ofruan mbështetje financiare dhe materiale për tre iniciativa të cilat do të transformojnë jetën dhe do të sjellin ndryshime të qendrueshme sociale për komunitete në nevojë.
Shuma totale e mbledhur prej 1,681,874 Lekë kaloi objektivin e vendosur, duke konfirmuar edhe njëherë ndjeshmërinë qytetare ndaj grupeve në nevojë.
Iniciativat e mbështetura janë:
- Një kopsht për fëmijët e fshatit Blliçe – Peshkopi, e ndërmarrë nga Vizion OJF.
- Adopto një terapi– Tiranë, një iniciativë e Fondacionit Down Syndrome Albania.
- Edukimi dhe integrimi i fëmijëve të komunitetit Rom dhe Egjiptian përmes sportit – Shkodër, nga Shoqata për të Drejtat e Komunitetit Egjiptian.
Falë ndjeshmërisë dhe vëmendjes së lartë mediatike që mori eventi, iniciativat vijojnë të sigurojnë mbështetje financiare edhe nga individë që nuk mundën të bëhen pjesë e tij.
Vizitoni këtu një galeri fotosh nga ky event.
Eventi Rrathë Dhurues 2018 u mbështet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri si pjesë e aktiviteteve të projektit “EMBRACE – Modele Sipërmarrjeje që ndërtojnë Marrëdhënie dhe Ekonomi Krijuese”, Balkan Trust for Democracy-një projekt i German Marshall Fund of the United States, Frederick Mulder Foundation, The Funding Network, Credins Invest, Telekom Albania, dhe Iceberg Communications.
Informacion mbi iniciativat | Shkarko |