METODOLOGJIA E VLERËSIMIT TË RREZIKUT TË OJF-VE NDAJ FINANCIMIT TË TERRORIZMIT NË SHQIPËRI 

Ky raport është përgatitur nga Partnerët Shqipëri në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, falë mbështetjes së Projektit Global “Lufta kundër qarkullimit të paligjshëm të fondeve” i zbatuar nga GIZ dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Shqipëria është vendi i dytë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ka përgatitur këtë raport bazuar në një metodologji standard të vlerësimit të rrezikut e hartuar nga Greenacre Group, me qëllim që të ndihmojë shtetet të kuptojnë rreziqet e FT-së për sektorin e OJF-ve, të vlerësojnë se sa efektivisht janë duke i adresuar këto rreziqe, dhe të jenë të aftë të demonstrojnë në mënyrë të qartë se si është arritur ky kuptim.

Raporti është ngushtësisht në linjë me kërkesat dhe udhëzimet e FATF, dhe siç udhëzon FATF, është hartuar nëpërmjet një përqasje bashkëpunuese me përfshirjen e OJF-ve, institucioneve shtetërore dhe të zbatimit të ligjit, sektorit financiar dhe komuniteteve fetare, duke njohur interesin e përbashkët në luftën ndaj rrezikut të FT-së, përmes pjesëmarrjes së tyre në Grupin Mbikqyrës të Metodologjisë së Vlerësimit të Rrezikut të OJF-ve ndaj FT.