Shpallen fituesit e Konkursit të Bizneseve të Gjelbërta 2020

Partnerët Shqipëri organizoi në datat 7-8 maj 2020, Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2020!

Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta është një aktivitet që Partnerët Shqipëri organizon prej vitit 2012, i cili synon të stimulojë e inkurajojë inovacionin për ide biznesi të gjelbërta në nivel lokal dhe të hulumtojë rolin e filantropisë në angazhimin e komuniteteve lokale për të gjeneruar ide biznesi të bazuara në shfrytëzimin e burimeve lokale, ringjalljen e traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale, duke pasur një qasje miqësore ndaj mjedisit. Përmes mbështetjes së nismave inovatore që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal, Konkursi synon të kontribuojë në mënyrë thelbësore në ndërtimin e një rajoni të begatë, konkurrues dhe të paqtë të Ballkanit, në linjë me 7 objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm të Axhendës 2030. Këtë vit, organizimi i Konkursit të Bizneseve të Gjelbërta u mbështet nga Fondi Rockefeller Brothers dhe Credins Bank.

Njëzetë finalistë të përzgjedhur nga 41 konkurrentë nga organizata jofitimprurëse, sipërmarrje sociale, biznesi i vogël në vend dhe individë, prezantuan idetë e tyre gjatë dy ditëve të konkursit.

Prezantimet e ideve të biznesit u vlerësuan nga një juri e pavarur me ekspertë të fushës së ekonomisë, edukimit dhe zhvillimit të biznesit.

Këtë vit, konkursi mbështeti ide biznesi në dy fasha kryesore sipas maturimit të idesë:

Fasha 1: Ide biznesi në fazë konceptuale

Fasha 2: Biznes në fazat e para të zhvillimit

 

Idetë fituese janë:

Fasha 1: Ide biznesi në fazë konceptuale (3 fitues)

  1. “Prodhimi i sapunëve artizanal dhe sfungjerëve natyral” prezantuar nga biznesi i vogël “Rinora Handmade”. Ideja konsiston në prodhimin e sapunit artizanal dhe sfungjerit natyror bimor “Made in Albania” duke i ofruar konsumatorit një produkt artizanal dhe natyral prodhuar nga lëndët e para të vendit tonë dhe duke nxitur punësimin në zonat rurale të qytetit të Beratit.
  2. “Margjelo Filigran Albania” prezantuar nga Aurora Piranej, individ. Ideja ka për qëllim ngritjen e një sipërmarrje sociale në qytetin e Shkodrës, e cila do të konsistojë në përpunimin e metalit të argjendit me teknika artizanale si filigran, thurrje apo punime me grep për të prodhuar objekte te ndryshme dekorative, suvenire dhe bizhuteri, si dhe në rritjen e aftësive dhe punësimin e grave artizanale.
  3. “Prodhimi i vajit të lajthisë” prezantuar nga fermeri Julvin Marku, ide a cila synon të sjellë në treg këtë produkt të përpunuar nga fruti i lajthisë dhe të nxisë bashkëpunimin me fermerë të fshatit Gramëz në Njësisë Administrative Thumanë, për ta kultivuar dhe treguar atë.

Secila nga idetë fituese në këtë fashë do të mbështetet financiarisht deri në shumën 500,000 lekë (të rinj).

 

Fasha 2: Biznes në Fazat e Para të Zhvillimit (2 fitues)

  1. “Kroi Mjaltit” prezantuar nga Personi Fizik Besart Lama. Ideja konsiston në prodhimin dhe tregtimin e produkteve nga aktiviteti i bletarisë si mjaltë, qumësht blete dhe mjaltë me hoje, me ndikim edhe në rritjen e rendimentit të prodhimit të kulturave bujqësore të fshatit Shullazë të Kurbinit. Ideja synon angazhimin dhe punësimin e komunitetit lokal në këtë sipërmarrje.
  2. “Natyra Ime” prezantuar nga Personi Fizik Jetmira Kajoshi. Ideja synon rritjen e prodhimit të sapunëve artizanalë dhe produkteve kozmetike tërësisht natyralë dhe të shëndetshëm, duke promovuar vlerat dhe natyrën e vendit tonë.

Secila nga idetë fituese në këtë fashë do të mbështetet financiarisht deri në shumën 800,000 lekë (të rinj).

Tre prej fituesve, dy vendet e para nga Fasha 1 dhe vendi i parë nga Fasha 2, përkatësisht “Prodhimi i sapunëve artizanal dhe sfungjereve natyral”, “Margjelo Filigran Albania” dhe “Kroi Mjaltit”do të bëhen automatikisht pjesë e konkurimit në Konkursit Ballkanik të Ideve të Gjelbërta 2020. Si pjesë e këtij konkursi rajonal, 21 ide biznesi nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje Hercegovina dhe Greqia, do të konkurrojnë për të përfituar një fond shtesë nëse shpallen fitues në nivel rajoni. Konkursi rajonal do të zhvillohet në shtator 2020.