Work4Youth

Partnerët Shqipëri besojnë se sipërmarrja është një nga politikat kryesore dhe më efektive e tregut të punës,  që mund të përdoret për të adresuar nivelin e lartë të papunësisë së të rinjve. Mbështetja e të rinjve për të filluar sipërmarrjet e tyre të biznesit është një mekanizëm efektiv për të shmangur sfidat e hyrjes dhe pozicionimit në tregun e punës.

Nisma jonë më e re në këtë drejtim synon të kontribuojë në rritjen e punësimit dhe nxitjen e përfshirjes sociale të të rinjve në zonën ndërkufitare Shqipëri – Mali i Zi. Ky projekt ka si fokus specifik krijimin e një mjedisi mundësues për komunitetin e sipërmarrësve të rinj të vendosur për fillimin e biznesit të tyre në zonën ndërkufitare (rajoni i Shkodrës në Shqipëri dhe bashkitë e Podgoricës, Tuzit dhe Barit në Mal të Zi).

Duke përdorur një qasje pjesëmarrëse me qëllim përfshirjen e të rinjve, autoriteteve vendore, institucioneve publike, universiteteve dhe shkollave, si dhe kompanive private, Partnerët Shqipëri do të punojë për të krijuar një grup të rinjsh të aftë dhe të motivuar në zonën ndërkufitare, të gatshëm për të filluar sipërmarrje dhe për të krijuar mundësi punësimi për të rinjtë e tjerë.

Një seri aktivitetesh që do të kryhen përgjatë dy viteve (2021-2022) përfshijnë studime kërkimore mbi punët me nënkontraktim që mund të kthehen në mundësi biznesi, dhe probleme të tjera që ngadalësojnë progresin në ndërmarrjet mikro, që mund të zgjidhen përmes shërbimeve dhe bizneseve të reja; Kampet e Inovacionit dhe Programi i Trajnimit Individual, forume të përbashkëta të bashkëpunimit ndërkufitar, dokumente të politikave etj.

Rezultatet e pritshme të këtyre aktiviteteve janë Aftësi të përmirësuara të të rinjve për zhvillimin e ideve të tyre të biznesit bazuar në aftësi inovatore, njohuri dhe kompetenca të reja; rritje e mundësive për mbështetje për bizneset start up të të rinjve në zonën e synuar; rritje e mbështetjes për sipërmarrësit e rinj dhe vetëpunësimi përmes politikave lokale stimuluese.

 

Projekti u lancua zyrtarisht në qershor, në dy evente që u zhvilluan në Podgoricë dhe Shkodër, të ndjekur nga një seri sesionesh informuese të zhvilluara në gjashtë qytete në Shqipëri dhe Mal të Zi, ku të rinjtë e interesuar të moshës (18-30) nga të dy anët e kufirit u ftuan të marrin pjesë në KAMPET E INOVACIONIT.

 

Kampi i Inovacionit” për pjesëmarrësit nga Shqipëria u organizua në 12-16 korrik 2021, dhe ai për pjesëmarrësit nga Mali i Zi u organizua në 21-25 korrik në Ulqin. Gjatë 5 ditëve të programit, të rinjtë zhvilluan plane biznesi mbi idetë e tyre dhe përgatitën prezantimet para një jurie ekspertësh nga sektori i biznesit, institucionet publike si Bashkia Shkodër dhe Zyra e Punësimit (për Shqipërinë) si dhe mentorë të kampeve.

Në fund të programit, 8 idetë e biznesit më inovatore nga secili vend u përzgjodhën për mbështetje të mëtejshme. Ato do të vazhdojnë të mbështeten dhe promovohen nga projekti për t’i ekspozuar ndaj mundësive për financim, mentorim, zhvillim, etj.

 

 

 


Gjatë periudhës gusht-shtator, Partnerët Shqipëri organizoi një seri sesionesh mentorimi për fituesit e Innovation Boot Camp të organizuar në Shkodër.

Sesionet e mentorimit u ofruan individualisht për secilën prej ideve fituese të biznesit:

  • Mjedrat e Dejës
  • Pet Albania
  • Ferma Zoga
  • Info Point Danja
  • Krimbi i Mëndafshit
  • Tornado
  • EDEN

Gjatë sesioneve të mentorimit fituesit diskutuan dhe punuan me ekspertët për përmirësimin e idesë së tyre të biznesit, se si mund të përcaktojnë më mirë tregun e synuar, si të identifikojnë konkurentët në treg dhe si të përcaktojnë avantazhet e tyre kokurruese. Sesionet vazhduan me zhvillimin e produktit apo shërbimit, krijimin e markës dhe një strategjie të përshtatshme shitje dhe marketingu, ndërtimin e një plani biznesi me fokus në pjesën financiare, dhe krijimin e pasqyrave të plota financiare për 3-5 vitet e ardhshme, duke përcaktuar edhe sasinë e financimit që do të kërkohet nga investitorët në fazën e start-up. Hapi i fundit përfshiu mentorimin në aftësitë e tyre prezantuese në mënyrë që të jenë gati për paraqitjen e idesë përpara një audience investitorësh, donatorësh potencialë dhe skemave të grantimit në eventin e ardhshëm “Prezantimi i ideve të biznesit tek një audiencë e madhe e aktorëve ndër-kufitarë”.


 

Në 12 nëntor, në Shkodër zhvilluam Forumin Ndërkufitar për Bashkëpunim të Ardhshëm i cili shërbeu për rritjen e kohezionit, shkëmbimit, rrjetëzimit dhe partneritetit midis sipërmarrësve të rinj nga zona ndërkufitare, përmes punës në grupe, sugjerimeve e rekomandimeve të ekspertëve për përmirësime të mëtejshme të ideve të tyre, si dhe prezantimin e mundësive për mbështetje si huatë, apo platformat ndihmëse (si Dua Partner Invest).

Ndërveprimi mes të rinjve çoi në krijimin e lidhjeve të reja për partneritete të mundshme për zhvillimin e mëtejshëm të ideve të tyre të biznesit me ndikim në zhvillimin socio-ekonomik të zonës ndërkufitare.


 

Në 14 dhjetor, në Podgoricë zhvilluam Prezantimin e ideve të biznesit, një event që dëshmoi zhvillimin e 14 sipërmarrësve të rinj nga Shqipëria dhe Mali i Zi, prej idesë fillestare në plane ambicioze biznesi, gati për tu prezantuar para investitorëve dhe mbështetësve të mundshëm. Gjatë diskutimeve në grup me institucione, organizata, investitorë dhe partnerë, ata krijuan lidhje për mbështetje dhe bashkëpunim të mëtejshëm.

Work4Youth do të vijojë të mbështesë këta sipërmarrës për të realizuar ëndrrën e tyre!

 

 

 


 

Në muajin Mars, u lançua thirrja për aplikime për në programin “Innovation Boot Camps 2022” për të rinjtë e moshës 18-30 vjeç nga zona ndërkufitare.

Thirrja qëndroi e hapur deri në datën 4 prill 2022 dhe në datat 16-18 Mars u zhvilluan tre seanca informuese, me qellim nxitjen e pjesëmarrjes së të rinjve në program. Seancat informuese u mbajtën në Bashkinë e Shkodrës për të interesuarit nga Shkodra dhe Vau i Dejës, në Bashkinë e Pukës për të interesuarit nga Puka dhe Fushë-Arrësi dhe atë të Malësisë së Madhe për të interesuarit e kësaj bashkie. Për të dytin vit rradhazi, personat e interesuar i dorëzuan aplikimet e tyre nëpërmjet platformës Dua Partner Invest.

 

 


 

 

Programi mirëpriti në Shkodër në datat 11-15 prill 2022 pjesëmarrësit nga Shqipëria, si dhe në Podgoricë në datat 17-22 Prill 2002 pjesëmarrësit nga Mali i Zi. Të rinjtë pjesëmarrës morën njohuri teknike dhe mentorim për përgatitjen e një plani biznesi për idenë e tyre të biznesit, e cila mund të mbështetet më tej nga projekti si një “start-up” i ri.

Tetë ide nga secili program në të dy vendet u përzgjodhen dhe përgjatë muajit maj dhe qershor të rinjtë u mentoruan nga ekspertët për të zhvilluar më tej idenë e tyre të biznesit. Ata do të mbështeten dhe promovohen më pas deri në gjetjen e mundësive për financim.

Idetë e përzgjedhura në Shqipëri:

  1. Dorina Ndreu – Green Beauty
  2. Enida Haka -SA Bio Pastertia e Natyres
  3. Dajana Brahimi -Ndertimi I seres me Aloe Vera
  4. Marketa Lleshaj- Argëtim për fëmijë
  5. Altin Dycaj – Algesi Natyral
  6. Doris Kuci – Healthy Drinks
  7. Aida Haxhari – Handmade with love
  8. Shqiponja Idrizi – Stampim

 


 

Në 6 korrik 2022 u mbajt Forumi “Cross-Border Forum of Future Cooperation”. Të rinjtë pjesëmarrës nga zona ndër-kufitare midis Shqipërisë dhe Malit të Zi e shfrytëzuan pjesëmarrjen si një mundësi për të ndërvepruar, diskutuar dhe ndarë eksperiencat me njëri-tjetrin në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të ideve të tyre të biznesit, si dhe morën rekomandimet e eksperteve në lidhje me çështje specifike.
Ata u njohën me platformën Dua Partner Invest, si një mekanizëm mbështetës, i gatshëm për t’i asistuar gjate rrugëtimit të tyre sipërmarrës.
Eventi u përmbyll me disa udhëzime bazuar në eksperiencë në lidhje me prezantimin e ideve përpara investitorëve potencialë dhe garantimin e mundësisë për financimin e tyre.

 

 


Prezantimin e Ideve të Biznesit të zhvilluar në Shkodër në muajin nëntor, sipërmarrësit e rinj nga zona ndërkufitare Shqipëri – Mali i Zi prezantuan planet e tyre të biznesit të zhvilluara së bashku me mentorë dhe ekspertë, të cilat janë gati për mbështetje nga skemat vendore dhe kombëtare të financimit, si dhe nga investimet private në të dy vendet.
Aktiviteti u përshëndet nga znj. Edona Bilali, Ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, e cila prezantoi programe dhe iniciativa të ndryshme qeveritare në mbështetje të sipërmarrjes dhe punësimit të të rinjve, duke ftuar sipërmarrësit e rinj të aplikojnë në këto mekanizma mbështetës. Përfaqësues të pushtetit vendor nga zona ndërkufitare, diskutuan rreth mundësive të tjera që u ofrohen sipërmarrësve të rinj në nivel vendor.

 


 

 

Konferenca përmbyllëse e iniciativës ndërkufitare Work4Youth e zhvilluar në 13 dhjetor, mblodhi bashkë rreth 90 të rinj sipërmarrës, përfaqësues të institucioneve vendore dhe aktorë të rëndësishëm në fushën e zhvillimit të sipërmarrjes, për të ndarë sëbashku arritjet e Work4Youth në dy vjet, sfidat dhe rekomandime për politika dhe mekanizma në mbështetje të sipërmarrjes dhe punësimit rinor.

Ne mbetemi të përkushtuar të vazhdojmë të mbështesim e promovojmë sipërmarrjet dhe start-upet e reja.

 


 

 

Ndiqni këtu video promovuese të disa prej ideve të biznesit të të rinjve, fitues të Kampeve të Inovacionit

 

 


Iniciativa u zbatua nga Partnerët Shqipëri në partneritet me Shoqatën për Prosperitet Demokratik – Zid në Mal të Zi, dhe Intelektualet e Rinj, Shpresë në Shkodër, Shqipëri, dhe u mbështet financiarisht nga Bashkimi Evropian përmes Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2014-2020 nën IPA II.

Factsheet on the Work4Youth Initiative Shkarko
SIPËRMARRJA DHE VETËPUNËSIMI I TË RINJVE NË ZONËN NDËRKUFITARE SHQIPËRI-MALI I ZI: kushtet aktuale, perspektiva dhe bashkëpunimi ndërkufitar Shkarko