Work4 Youth

Partnerët Shqipëri besojnë se sipërmarrja është një nga politikat kryesore dhe më efektive e tregut të punës,  që mund të përdoret për të adresuar nivelin e lartë të papunësisë së të rinjve. Mbështetja e të rinjve për të filluar sipërmarrjet e tyre të biznesit është një mekanizëm efektiv për të shmangur sfidat e hyrjes dhe pozicionimit në tregun e punës.

Nisma jonë më e re në këtë drejtim synon të kontribuojë në rritjen e punësimit dhe nxitjen e përfshirjes sociale të të rinjve në zonën ndërkufitare Shqipëri – Mali i Zi. Ky projekt ka si fokus specifik krijimin e një mjedisi mundësues për komunitetin e sipërmarrësve të rinj të vendosur për fillimin e biznesit të tyre në zonën ndërkufitare (rajoni i Shkodrës në Shqipëri dhe bashkitë e Podgoricës, Tuzit dhe Barit në Mal të Zi).

Duke përdorur një qasje pjesëmarrëse me qëllim përfshirjen e të rinjve, autoriteteve vendore, institucioneve publike, universiteteve dhe shkollave, si dhe kompanive private, Partnerët Shqipëri do të punojë për të krijuar një grup të rinjsh të aftë dhe të motivuar në zonën ndërkufitare, të gatshëm për të filluar sipërmarrje dhe për të krijuar mundësi punësimi për të rinjtë e tjerë.

Një seri aktivitetesh që do të kryhen përgjatë dy viteve (2021-2022) përfshijnë studime kërkimore mbi punët me nënkontraktim që mund të kthehen në mundësi biznesi, dhe probleme të tjera që ngadalësojnë progresin në ndërmarrjet mikro, që mund të zgjidhen përmes shërbimeve dhe bizneseve të reja; Kampet e Inovacionit dhe Programi i Trajnimit Individual, forume të përbashkëta të bashkëpunimit ndërkufitar, dokumente të politikave etj.

Rezultatet e pritshme të këtyre aktiviteteve janë Aftësi të përmirësuara të të rinjve për zhvillimin e ideve të tyre të biznesit bazuar në aftësi inovatore, njohuri dhe kompetenca të reja; rritje e mundësive për mbështetje për bizneset start up të të rinjve në zonën e synuar; rritje e mbështetjes për sipërmarrësit e rinj dhe vetëpunësimi përmes politikave lokale stimuluese.

 

Projekti u lancua zyrtarisht në qershor, në dy evente që u zhvilluan në Podgoricë dhe Shkodër, të ndjekur nga një seri sesionesh informuese të zhvilluara në gjashtë qytete në Shqipëri dhe Mal të Zi, ku të rinjtë e interesuar të moshës (18-30) nga të dy anët e kufirit u ftuan të marrin pjesë në KAMPET E INOVACIONIT.

 

Kampi i Inovacionit” për pjesëmarrësit nga Shqipëria u organizua në 12-16 korrik 2021, dhe ai për pjesëmarrësit nga Mali i Zi u organizua në 21-25 korrik në Ulqin. Gjatë 5 ditëve të programit, të rinjtë zhvilluan plane biznesi mbi idetë e tyre dhe përgatitën prezantimet para një jurie ekspertësh nga sektori i biznesit, institucionet publike si Bashkia Shkodër dhe Zyra e Punësimit (për Shqipërinë) si dhe mentorë të kampeve.

Në fund të programit, 8 idetë e biznesit më inovatore nga secili vend u përzgjodhën për mbështetje të mëtejshme. Ato do të vazhdojnë të mbështeten dhe promovohen nga projekti për t’i ekspozuar ndaj mundësive për financim, mentorim, zhvillim, etj.

 

 

 

Gjatë periudhës gusht-shtator, Partnerët Shqipëri organizoi një seri sesionesh mentorimi për fituesit e Innovation Boot Camp të organizuar në Shkodër.

Sesionet e mentorimit u ofruan individualisht për secilën prej ideve fituese të biznesit:

  • Mjedrat e Dejës
  • Pet Albania
  • Ferma Zoga
  • Info Point Danja
  • Krimbi i Mëndafshit
  • Tornado
  • EDEN

Gjatë sesioneve të mentorimit fituesit diskutuan dhe punuan me ekspertët për përmirësimin e idesë së tyre të biznesit, se si mund të përcaktojnë më mirë tregun e synuar, si të identifikojnë konkurentët në treg dhe si të përcaktojnë avantazhet e tyre kokurruese. Sesionet vazhduan me zhvillimin e produktit apo shërbimit, krijimin e markës dhe një strategjie të përshtatshme shitje dhe marketingu, ndërtimin e një plani biznesi me fokus në pjesën financiare, dhe krijimin e pasqyrave të plota financiare për 3-5 vitet e ardhshme, duke përcaktuar edhe sasinë e financimit që do të kërkohet nga investitorët në fazën e start-up. Hapi i fundit përfshiu mentorimin në aftësitë e tyre prezantuese në mënyrë që të jenë gati për paraqitjen e idesë përpara një audience investitorësh, donatorësh potencialë dhe skemave të grantimit në eventin e ardhshëm “Prezantimi i ideve të biznesit tek një audiencë e madhe e aktorëve ndër-kufitarë”.

 

 

Në 12 nëntor, në Shkodër zhvilluam Forumin Ndërkufitar për Bashkëpunim të Ardhshëm i cili shërbeu për rritjen e kohezionit, shkëmbimit, rrjetëzimit dhe partneritetit midis sipërmarrësve të rinj nga zona ndërkufitare, përmes punës në grupe, sugjerimeve e rekomandimeve të ekspertëve për përmirësime të mëtejshme të ideve të tyre, si dhe prezantimin e mundësive për mbështetje si huatë, apo platformat ndihmëse (si Dua Partner Invest).

Ndërveprimi mes të rinjve çoi në krijimin e lidhjeve të reja për partneritete të mundshme për zhvillimin e mëtejshëm të ideve të tyre të biznesit me ndikim në zhvillimin socio-ekonomik të zonës ndërkufitare.

 

Në 14 dhjetor, në Podgoricë zhvilluam Prezantimin e ideve të biznesit, një event që dëshmoi zhvillimin e 14 sipërmarrësve të rinj nga Shqipëria dhe Mali i Zi, prej idesë fillestare në plane ambicioze biznesi, gati për tu prezantuar para investitorëve dhe mbështetësve të mundshëm. Gjatë diskutimeve në grup me institucione, organizata, investitorë dhe partnerë, ata krijuan lidhje për mbështetje dhe bashkëpunim të mëtejshëm.

Work4Youth do të vijojë të mbështesë këta sipërmarrës për të realizuar ëndrrën e tyre!

 

 


Iniciativa zbatohet nga Partnerët Shqipëri në partneritet me Shoqatën për Prosperitet Demokratik – Zid në Mal të Zi, dhe Intelektualet e Rinj, Shpresë në Shkodër, Shqipëri. Nisma financohet nga Bashkimi Evropian përmes Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2014-2020 nën IPA II.

Factsheet on the Work4Youth Initiative Shkarko
ENTREPRENEURSHIP AND SELF-EMPLOYMENT OF YOUTH IN THE BORDER AREA OF ALBANIA AND MONTENEGRO: current conditions, perspective, and cross border cooperation Shkarko